E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD zgjedh sloganin “Ju jeni të parët”

29/03/2011  Mblidhet grupi parlamentar; diskutohet zgjedhja e dy himneve të ndryshme për fushatën elektorale

Berisha: ‘Eye of the tiger’, kënga e adrenalinës time, por ik nga frika kandidati kundërshtar

Kryeministrit Sali Berisha publikoi dje sloganin e fushatës elektorale të Partisë demokratike për zgjedhjet e 8 majit, “Ju jeni të parët”, slogan i cili është zgjedhur mbi filozofinë e demokratëve, ku qytetari do të zërë vendin kryesor në qeverisjen e ardhshme vendore të mazhorancës. “Grupet e ekspertëve po punojnë prej kohësh për sloganin. Slogani ynë buron nga shpirti i vetë sloganit: të qytetarit, me qytetarin, për qytetarin, dhe me sa duket slogani do të jetë: ‘Të parët jeni ju’ apo ‘Ju jeni të parët’, sepse qytetarët janë të parët, ata do të jenë të parët, ndaj dhe ne përqendrohemi së bashku me ta për të gjithë problematikën e këtyre zgjedhjeve. Ky slogan, pothuajse përfundimtar, është ‘Ju jeni të parët’”, - tha kryeministri gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së. Gjatë fjalës së tij kryeministri përmendi edhe himnin kombëtar të fushatës, vendimi për të cilin, dhe pse nuk është marrë ende, kreu i PD-së përmendi disa nga variantet e përfolura, mes tyre edhe të preferuarat e tij. “Po të ishte për mua, ‘Eye of the tiger’, për të mos thënë dhe ‘Barracuda’, ato janë këngët e adrenalinës sime, por nuk do të jenë, sepse dikush po më thoshte se, po e vumë këngën ‘Eye of the tiger’, iku nga frika kandidati kundërshtar. ‘Thunderstrike’ është një tjetër këngë, jashtëzakonisht frymëzuese, ndezëse, prapë nuk mund të them se do të jenë etalon. Pra, diskutimet janë, përpjekje të shumta po bëjnë për të zgjedhur himnin më të bukur ndërkombëtar. I përshtatet tërësisht shpirtit të programit tonë, qytetarit. E bukur shumë është ‘Victory’ e Michael Flatley, por ende nuk është konkluduar, se duhet të jetë në një valë me qytetarin. Urojmë dhe shpresojmë të zgjedhim më të bukurin”, - deklaroi Berisha. Në përgjigje të akuzave të opozitës, Berisha ceku edhe përzgjedhjen e projektit për parlamentin e ri, ku theksoi se ka qenë konkursi më i hapur në historinë e këtij vendi. Ndërkohë ai propozoi që stadiumi kombëtar “Qemal Stafa” pas fitores së kombëtares sonë me Bjellorusinë të marrë emrin “Kuq e Zi”.

Katër deputetë lënë mandatin

Katër deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kandidatë për krerë të organeve të qeverisjes vendore, kanë paraqitur dje pranë Kryesisë së Kuvendit dorëheqjen e tyre nga mandati i deputetit. “Më datën 28.3.2011 zoti Ferdinand Xhaferri, zoti Fatos Tushe, zoti Gjokë Jaku dhe zoti Ardian Kollozi kanë paraqitur me shkrim në Kuvend dorëheqjen nga mandati i deputetit përkatësisht me shkresat nr.857, datë 28.3.2011; nr. 850, datë 28.3.2011; nr.853, datë 28.3.2011 dhe nr.858, datë 28.3.2011”, - thuhet në njoftimin e Kryesisë së Kuvendit. Katër të mandatuarit në legjislaturën aktuale me zgjedhjet e vitit 2009, u zyrtarizuan nga partitë e tyre, dy ditë më parë si kandidatë për zgjedhjet vendore të 8 majit. Kushtetuta nuk i lejon ata të mbajnë një funksion publik, kur kandidojnë për një tjetër post publik. Ndërsa kandidati për bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, për shkak të zyrtarizimit më të hershëm nga partia e tij e ka paraqitur dorëheqjen e mandatit më herët. “Më datë 25.3 2011 zoti Lulzim Basha ka paraqitur me shkrim në Kuvend dorëheqjen nga mandati i deputetit (shkresa nr.830, datë 25.3.2011), - vijon njoftimi i zyrës së shtypit pranë legjislativit.

Dorëheqja e ministrit

Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ferdinand Xhaferri, pavarësisht dorëheqjes së tij nga mandati i deputetit, pritet në vijim të dorëzojë pranë kryeministrit të vendit, Sali Berisha, dorëheqjen nga posti i ministrit. Xhaferri është propozuar nga baza dhe më pas miratuar edhe nga Këshilli Kombëtar si kandidat për të garuar në zgjedhjet lokale të ardhshme për postin e kryetarit të Bashkisë Durrës. Menjëherë pas dorëzimit të detyrës së ministrit kryeministrit Berisha i del si detyrim zëvendësimin e të larguarve me ministra të rinj. Aktualisht kreut të qeverisë do t’i duhet të gjejë një emër për Ministrinë e Brendshme pas largimit nga ky post të Lulzim Bashës për shkak të kandidimit të tij si kryetar bashkie. Ministri i Brendshëm Lulzim Basha i paraqiti dorëheqjen nga posti i tij qeveritar kryeministrit Sali Berisha, si dhe lënien e mandatit të deputetit pas kandidimit të tij për Bashkinë e Tiranës. Lajmin e bëri të ditur zyra e shtypit pranë Ministrisë së Brendshme. Dorëheqja vjen e bazuar në Kushtetutë, e cila ndalon personat e zgjedhur të kandidojnë apo të zgjidhen në një pushtet tjetër pa dorëzuar më parë mandatin ekzistues.

Kryeministri Berisha pret zyrtarin e BE-së

“Vullneti politik i opozitës - garanci shtesë për standardet”

Zëvendësdrejtori i përgjithshëm të zgjerimit të BE Stefano Sanino gjatë takimit që zhvilloi me kryeministrin Berisha vlerësoi se realizimi i zgjedhjeve vendore të 8 majit konform standardeve ndërkombëtare do të shënojë një hap të rëndësishëm përpara. Ai vlerësoi gjithashtu si një ngjarje shumë pozitive thirrjen e tryezës së partive politike në Parlamentin shqiptar nga mazhoranca, e cila është në funksion të dialogut politik parlamentar për të adresuar rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, që u drejtohen partive politike. Sanino ndodhet në vendin tonë për seminarin që po organizohet në Tiranë mbi planin e veprimit të qeverisë për adresimin e 12 rekomandimeve të KE-së. Në këtë kontekst, kryeministri Berisha i rikonfirmoi mysafirit të tij se integrimi evropian i Shqipërisë mbetet projekti më madhor kombëtar i këtij shekulli për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe se qeveria shqiptare është vendosur të bëjë çdo përpjekje për ecjen me shpejtësi përpara për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE. Nga ana e tij Sanino i rikonfirmoi kreut të qeverisë shqiptare mbështetjen e BE-së ndaj të gjitha reformave dhe perspektivës evropiane të Shqipërisë. Në takim u theksua gjithashtu se shprehja e vullnetit pozitiv politik jo vetëm nga maxhoranca, por edhe nga opozita është garanci shtesë përkrah ligjit për përmbushjen e të gjitha standardeve ndërkombëtare.

Ministri Haxhinasto pret kreun e OSBE-së

Kontributi i të gjithë aktorëve politikë garanton sukses

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto priti në zyrën e tij kreun e Misionit të Vëzhguesve të OSBE–ODIHR-it, Jonathan McNaught Stonestreet, i cili në krye të një grupi ekspertësh, me ftesë të qeverisë shqiptare, kanë mbërritur në Shqipëri më 27 mars 2011 për t’i paraprirë misionit afatgjatë dhe afatshkurtër të monitorimit të procesit zgjedhor të 8 majit 2011. Gjatë takimit Haxhinasto e vuri theksin në rëndësinë e kontributit të gjithë aktorëve politikë në krijimin e klimës së duhur të bashkëpunimit, që do të garantojë zhvillimin e suksesshëm të procesit zgjedhor. Gjithashtu kreu i diplomacisë shqiptare theksoi angazhimin e qeverisë shqiptare për të riafirmuar përvojën pozitive në realizimin e një procesi zgjedhor të lirë, të ndershëm, transparent, kompetitiv dhe në përputhje me standardet e kërkuara ndërkombëtare, ashtu siç janë certifikuar nga raportet e OSBE–ODIHR-it. Ndërsa Stonestreet nga ana e tij, pasi vlerësoi qëndrimin e qeverisë shqiptare për ftesën për pjesëmarrje të një misioni të gjerë vëzhguesish, në funksion të rritjes së transparencës së procesit zgjedhor dhe një vlerësimi të drejtë dhe objektiv të tyre, bëri një paraqitje të shkurtër të qëllimit të misionit dhe të aktivitetit të tyre në tërë periudhën e monitorimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›