Makabriteti që e bën fitoren e së majtës shqiptare mort të saj
Gjatë tërë fushatës zgjedhore, një theks të veçantë i pata vënë perfiditetit moral, politik dhe ligjor të së majtës shqiptare, e cila kishte arritur deri aty sa këtë fushatë ta shndërronte në një propagandë të tipit piramidal, të mbushur plot me premtime që asnjë forcë politike apo koalicion zgjedhor në shtete të tjera nuk i kishte bërë. Premtimi për shëndetësi falas, premtimi për heqje të tërësishme të taksave të biznesit të vogël, si dhe për zbatim të taksës së sheshtë, si dhe një mori premtimesh të tjera, në të vërtetë ishin vetëm karremi për të nxënë votuesit shqiptarë, ashtu siç bëhet edhe me minj. Në fakt trajtimin e shqiptarëve si minj eksperimentalë, e pata paralajmëruar qysh atëherë, sepse me të gjitha, qoftë me qasjen ndaj realiteti shqiptar, qoftë me qasjen ndaj të arrirave të shqiptarëve gjatë tërë këtyre viteve, qoftë edhe me qasjen ndaj vetë inteligjencës së shqiptarëve, e majta e shqiptarëve dëshmoi se për të shqiptarët janë vetëm minj eksperimentalë e asgjë më shumë. Faktet që po dalin çdo ditë nga KQZ, po dëshmojnë se e majta shqiptare, duket e bindur se në mënyrë të ndershme, të rregullt dhe në mënyrë ligjore nuk do të mund të fitojë zgjedhje, ka përdorë të gjitha mjetet kundërligjore për të arritur një fitore të rrejshme, e cila do ta sillte në pushtet me çdo kusht. Keqpërdorimi i mundësive që jep ligji zgjedhor lidhur me ngritjen e strukturës së organizimit të zgjedhjeve, për të falsifikuar procesverbalet e ndryshme zgjedhore për llogari të sajën, keqpërdorimi i vështirësive të ndryshme të familjeve shqiptare, si dhe shantazhet e ndryshme të bëra nga ajo duke filluar që nga Edi Rama e poshtë, kanë bërë të mundur që të ndodhë ajo që edhe të ashtuquajturit analistë të thekur të së majtës nuk e kishin besuar: një fitore tepër të thellë të saj. Dhe kjo e ashtuquajtur fitore e së majtës, në fakt, është epitafi i saj më i rëndë, sepse më shumë sesa për fitore, këtu bëhet fjalë për vdekjen morale e politike të alternativës së majtë politike, është vdekje morale e politike e së majtës shqiptare, e cila dëshmoi katërcipërisht se më shumë sesa alternativë politike, më shumë sesa organizim politiko-partiak, është një organizim parapolitik, parashtetëror dhe kriminal që marrjen e pushtetit e ka si një trofe dhe si mundësi për të çuar më tej inkriminimin e saj, e fatkeqësisht edhe të shtetit shqiptar. Dhe në këto angazhime parapolitike, parashtetërore dhe kriminale, të majtës shqiptare nuk po i pritet, sepse çdo ditë që kalon, po nxjerrë marrëzira dhe poshtërsira me të cilat po i bje mohit të gjitha premtimeve të bëra gjatë fushatës zgjedhore, e që është edhe më keq, po krijon mekanizma parashtetërorë dhe paralelizma institucionalë parashtetërorë, që kanë për qëllim të dëmtojnë edhe më tej vendin dhe imazhin e tij, punë që e bënë në mënyrë jashtëzakonisht perfide dhe të rëndë gjatë viteve të opozitarizmit kuvendor dhe jashtëkuvendor. Shpikja e një kryeministri të zgjedhur, që nuk e ka as kushtetuta e as ndonjë ligj i caktuar, hapja e një zyre të kryeministrit të zgjedhur, e cila nuk bën asgjë tjetër, veçse paralajmëron për largime masive nga puna të punonjësve të administratës shtetërore dhe jo vetëm, dhe zëvendësimin e tyre me militantë të majtë dhe servilë të saj, si dhe karshillëku që po i bëhet qeverisë legjitime të drejtuar nga kryeministri Berisha, janë vetëm disa nga veprimet parapolitike dhe parashtetërore që e majta shqiptare po bën pas 23 qershorit. Është e tepërt të thuhet se të gjitha këto janë kundërkushtetuese dhe kundërligjore, pasi që e majta shqiptare, fatkeqësisht vetëm për ligj nuk do t’ia dijë, sepse po t’ia dinte për ligj, nuk do të kishte bërë tërë ato veprime kundërligjore deri në përpjekje për të përmbysur pushtetin me dhunë, nuk do të bënte kërcënime për përmbysje të pushtetit me gjak, mëngjesin e ditës së zgjedhjeve me rastin e vrasjes së dyshimtë të një militanti të LSI-së, si dhe nuk do të dëmtonte procesin zgjedhor me tërheqjen kundërligjore të tre anëtarëve të KQZ-së. Dhe janë këto tri momente që dëshmojnë se e majta, nëse nuk do të kishte funksionuar skema e blerjes së votave dhe e shantazheve ndaj punonjësve të administratës shtetërore, përfshirë edhe punonjësit e administratës zgjedhore, kishte gati skenarin për përgjakjen e shtetit shqiptar. Duket se basti i Edi Ramës se nëse nuk do t’i fitojë zgjedhjet, do të japë dorëheqje si kryetar i PS-së, paska qenë një bast tepër i fuqishëm dhe në të cilin kanë vënë paratë e tyre struktura të ndryshme kriminale, mafioze dhe kundërshtetërore, sepse me paratë e vëna nga ato struktura u arrit që të realizohej një nga shfaqjet më makabre zgjedhore: blerja masive e votave, shantazhimi dhe korruptimi i strukturave të ndryshme të administratës shtetërore dhe zgjedhore, si dhe ishte shpikur alibia për përgjakjen e shtetit, nëse do të humbej basti: vrasja e një militanti partiak ditën e zgjedhjeve. Dhe atë ditë të 23 qershorit, të gjithë patëm mundësi të shohim një opozitë me gojën plot gjak, dhe ky gjak rridhte nga goja e saj dhe kërcënonte hapur se do mbulonte gjithë shqiptarët. Dhe kjo është ajo që këtë të majtë shqiptare e bën të festojë mortin e saj moral, politik dhe për rekuizitë të ketë makabritetin zgjedhor, të ketë shantazhin, mashtrimin, gënjeshtrën dhe kërcënimin. Dhe ky mort moral e politik, u pa qysh gjatë dhe pas zgjedhjeve, sepse ndonëse të bindur në fitoren e tyre, përfaqësuesit e së majtës ishin çehrevdekur, ishin si kufoma të pavarrosura, apo siç do të thoshte Tolstoi, ishin kufoma të gjalla. Dhe ishte kështu, sepse ata e kishin të qartë se me këtë të ashtuquajtur fitore, kishin institucionalizuar krimin, kishin institucionalizuar makabritetin moral, politik e zgjedhor, sepse, në fund të fundit, e kishin të qartë, se në të vërtetë, nuk kishin fituar, por kishin korrur frytet makabre të një makabriteti moral, politik e zgjedhor të realizuar shumë kohë para ditës së zgjedhjeve. Dhe ky makabritet moral, politik e zgjedhor kishte filluar që para një prillit, pra që kur eksponentë të ndryshëm të së majtës shqiptare bridhnin anë e kënd shtetit shqiptar dhe bënin grushtshtetet e vogla në çdo lagje, në çdo komunë e bashki, me indoktrinimin e militantëve të saj për një qasje kundërshtetërore, e cila vihej në dukje me sabotimin që pushteti lokal i drejtuar nga të majtët, i bënte projeksioneve dhe planifikimeve zhvillimore të qeverisë sl kryeministrit Berisha, sidomos në lëmin e turizmit, që ishte shpallë nga kryeministri Berisha si një nga përparësitë e saj në strategjinë zhvillimore të vendit. Dhe këto grushtshtete të vogla që mbanin peng zhvillimin më të shpejtë të vendit, e që patën pasoja edhe për nivelin e rritjes ekonomike të tij, me kohë krijuan klimën kundërqeveri, kundërshtet që u përhap tepër shumë në çdo cep ku kishte militantë të thekur dhe të indoktrinuar të së majtës shqiptare, e cila kulmoi me fushatën zgjedhore dhe me të gjitha proceset që lidhen me to. Në këtë mënyrë, e majta shqiptare kishte arritur që të krijonte indoktrinimin e tipit talebanesk dhe kamikaz të militantëve të saj, pra kishte arritur që të krijonte bombat psikologjike, eksplozivët psikologjikë, të cilët i bëri të mos jenë votues të zakonshëm, por një turmë që nuk mendonte, nuk gjykonte dhe nuk vlerësonte asgjë. Përballë këtij talebanizmi dhe kamikazizmi psikologjik, nuk ishin gjë të arriturat e shtetit shqiptar gjatë tetë viteve të qeverisjes së koalicionit të udhëhequr nga kryeministri Berisha. Me propagandën e bërë nga Edi Rama, edhe anëtarësimi në NATO, edhe liberalizimi i vizave me BE-në, nuk ishin gjë, ashtu siç nuk ishin gjë, as rritja e rrogave, e pensioneve dhe gjithë ato investime. Përkundrazi, Edi Rama, ua ringjalli ndjenjën e imperializmit kapitalist që, sidomos tek të majtët, është mjaft e fortë edhe sot, si dhe ndjenjën ludiste të lumpenproletariatit, të përçmimit dhe të rrënimit të atyre zhvillimeve të realizuara nga investimet e bëra nga qeveria e udhëhequr nga kryeministri Berisha. Në këtë kuptim, votuesit e majtë sidomos, por edhe të tjerët, nuk mundën të kuptonin se duke votuar koalicionin e majtë, nuk votonin as për shëndetësi falas, as për heqje të taksës për biznesin e vogël, as për taksën e sheshtë, dhe as për asnjë premtim të bërë nga ky koalicion i majtë, por votonin për bastin e Edi Ramës, votonin për dhjetëra biznesmenë që do ta vazhdojnë të trashen falë mashtrimeve që ua bënë atyre dhe tërë shqiptarëve, falë shantazheve dhe falë kërcënimeve të ndryshme.
Ishte shumë e qartë me kohë, por tash po bëhet edhe më e qartë se e majta shqiptare tërë makabritetet politike, morale, institucionale, tërë mashtrimet, tërë gënjeshtrat dhe tërë mundësitë që pati i përdori për të arritur një të ashtuquajtur fitore, e cila në fakt, u shndërrua në mortin e saj të turpshëm dhe më të rëndë sesa sikur të kishte pësuar një humbje të ndershme. Dhe kjo fitore-mort, është po aq e rëndë sa fitorja-mort e vitit 1997, po aq e rëndë sa fitorja-mort e vitit 2001, sepse dëshmoi se e majta kurrë nuk mund të jetë një alternativë konstruktive për shtetin dhe për kombin shqiptar.