PD zhvillon mitingun përmbyllës në Bulqizë, Berisha: Rama, martesa për qëllime elektorale
Partia Demokratike ka zhvilluar sot mitingun përmbyllës në rrethin e Bulqizës.
Në fjalën e tij, kryeministri Berisha shprehu besimin se në 23 qershor, Bulqiza si bastion i së djathtës do të votojë Partinë Demokratike.
Kreu i qeverisë ka përsëritur nga premtimet për rritjen e rrogave, pensioneve, ndihmës ekonomike, infrastrukturë rrugore moderne etj.
“Shpreh besimin e madh se në 23 qershor Bulqiza si gjithmonë, bastion i demokracisë do votojë 44. Do votojë për përfundimin e rrugës së Arbërit që do e shndërroj Bulqizën në një nga qytetet e afërta me Tiranën. Në 23 ju do të votoni për infrastrukurën moderne, për rindërtimin e të gjitha shkollave, hapjen e shkollës profesionale. Do votoni alternativën e zhvillimit, e punësimit i të ardhmes tha Berisha.
Gjithashtu kryeministri Berisha u shpreh i bindur në vlerësimin e alternativës së tij, faktuar për mbajtjen e premtimeve përballë alternativës tjetër që sipas tij është ajo e bllokimit.
Modeli ynë është sukses, arritje, ecje përpara. Modeli i Ramës është bllokim, bëri gjithçka që shqiptarët të mos merrnin viza. Modeli ynë bazohet në ndershmëri, vlerat e familjes, modeli tjetër bazohet në ndarje dhe martesa për qëllime elektorale në prag të të gjitha zgjedhjeve. Këto nuk janë vlerat familjare. Modeli ynë bazohet në punën me djersën e ballit që nuk ka frikë për ato që ka dhe që ka fituar” shtoi kryeministri.
Ndërsa ka ftuar socialistët të votojnë PD-në në 23 qershor, kryeministri nuk la pa sulmuar edhe kryesocialistin Rama për mosdeklarimin e pasurisë.
“Shoku i autobuzit ndërton vilën, pallatin 5 katësh dhe nuk deklaron asnjë qindarkë. Nuk jam në kundërshtim t`i ndërtojë ato por pse i fsheh paratë. Kur nuk tregon origjinën e tyre tregon se ka frikë nga ligji dhe thotë pastaj se mi humbi posta. Asgjë nuk ju lidh ju socialistët e Bulqizës me këtë model ndaj dhe të ecim përpara të bashkuar drejt fitores. Votoni integrimin në Europë, votoni Partinë Demokratike përfundoi Berisha.