E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komunistët presion Ramës: Rivendos bustin e Enverit dhe largo biznesmenët nga PS-ja

03-03-2013 / Gazeta 55

E çuditshme, por e vërtetë. Një prej tre partive komuniste në aleancë me Partinë Socialiste i ka bërë presion Edi Ramës se do të rishikojë koalicionin pas deklaratës së tij në emisionin televiziv. 
Në një prononcim për mediat, kryetari i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti ka kërcënuar me largim nga koalicioni i opozitës nëse Edi Rama nuk e mbështetet për vendosjen e bustit të Enver Hoxhës në Tiranë. “Nëse Partia Socialiste nuk do ta përkrahë këtë kërkesë, ne jemi të detyruar të rishikojmë qëndrimet tona në lidhje me koalicionin, megjithëse kemi shpresë që kërkesa jonë do të përkrahet nga të gjitha palët”, deklaroi Dajti.
Më pas aleati i Edi Ramës shprehet se dëshiron të jetë në listën e deputetëve të PS, por ky “nuk është qëndrim ultimativ, pasi e dimë që në PS ka shumë konkurrentë miliarderësh që ne nuk i konkurrojmë dot”.
Sigurisht, është pak e sikletshme për komunistët të qëndrojnë në krah me grupin e miliarderëve. Megjithatë aleatët komunistë të Ramës kërkojnë që të rishikohet edhe program i paraqitur në konventë. 
Kryetari i Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajti thotë se ishte ftuar të marrte pjesë ne konventë për të parë programin,për të cilin shprehet se ai është utopik.
“Unë e pashë dhe e dëgjova, por mendoj se ka nevojë për rishikim, për të bërë një program më dinjitoz dhe përfaqësues, dhe jo program utopik”, theksoi ai. 
Ndërkohë  ikja nga koalicioni opozitar i kreut të PBDNJ-së e PDK-së (dhe ndoshta PDS), ka detyruar kreun e opozitës Edi Rama të rikthejë bashkëpunimin me tre parti komuniste.  Është e freskët në kujtesë dita kur Edi Rama bëri bashkë në tryezën opozitare (24 janar 2013) disa kryetarë partish jo parlamentare ku binte në sy Qemal Cicollari kryetar i Partisë Komuniste Shqiptare, Marko Dajti kryetar i partisë së Punës Shqiptare e Reformuar dhe Preng Cuni kryetar i partisë Komuniste Shqiptare e Reformuar, të cilët ishin në një tavolinë me Spartak Ngjelën dhe Kurt Kolën, ish-të përndjekur të cilët kanë mbyllur sytë për vuajtjet e qindra mijëra njerëzve për interesat e ngushta politike. Për motive të dobëta elektorale Edi Rama është detyruar të rekrutojë  komunistët e zinj të Enver Hoxhës për të magnezuar votat e ish-nostalgjikëve, ish-sigurimsave, ish-anëtarëve të zellshëm të partisë, ish-kryetarëve të kooperativave, ish-byroistëve si Nexhmije Hoxha e Vito Kapo duke ia ngjitur shtojcave të PS, si G 99, PSV ‘91, PSM, etj. Padyshim për të mundur Sali Berishën, kreu socialist është zotuar që të bëjë aleancë me këto zgjatime komuniste me frymë totalitare.
Ndonëse në të gjithë Evropën partitë komuniste janë zhdukur nga skena politike dhe nuk qasen më nga partitë e mëdha liberale, në Tiranë,  Partia Socialiste në kryesimin e Ramës shkon kundër erës europiane duke kthyer në diskursin publik ideologji të varrosura në shekullin e kaluar e që përfaqësojnë një lloj të menduar asgjësuese për kundërshtarit.  Mirëpo kjo gjë sikur nuk i intereson fare Edi Ramës.
Tashmë nuk bëhet më fjalë për një zotim të tij, por nga mbledhja e parë e tryezës së opozitës në fund të janarit është një realitet.  Çfarë është e vërteta, ky koalicion e vërteton plotësisht qëllimin e rilindjes së komunizmit në Shqipëri.
Pinjollët e bllokut nuk kanë më turp. Ata janë të gatshëm të rikthejnë “nën armë” të gjithë shërbyesit e gjallë të regjimit të kaluara komunist. Edvin Kristaq Rama, Gramoz Ruci, Ilir Xhelil Gjoni, Dashnor Myslym Peza, Ditmir Sulejman Bushati kanë dalë në popull për të kërkuar votën e “rilindjes” se epokës së baballarëve të tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›