E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDI: Në SHBA morëm mbështetje për çështjen çame

Tiranë, 31 korrik - Kryetari i Partisë për Drejtësi dhe Integrim (PDI), Tahir Muhedini, pas një vizite të zhvilluar së fundi në SHBA, tha sot se "mori mbështetjen e politikë bërësve amerikanë për inicimin e një rezolute në Kongresin amerikan për çështjen çame".
Gjatë një konference për shtyp, kryetari i PDI-së tha se në takimet me zyrtarët amerikanë, delegacioni i PDI-së prezantoi një dosje informative mbi gjenocidin e ushtruar ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare çame bashkë me një tablo të situatës aktuale.
"Kjo çështje u prezantua si një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut nga ana e qeverisë greke, të djeshme dhe të sotme. Politikë bërësit amerikanë e pritën me interes këtë çështje, duke shprehur keqardhjen për këtë plagë të pambyllur të historisë. Pas bisedave, disa prej kongresistëve morën përsipër që shumë shpejt të ftohet në bisedë ambasadori i Greqisë në SHBA dhe kjo t'i transmetohet edhe ambasadorit amerikan në Greqi. Disa prej kongresistëve konfirmuan vullnetin pozitiv për të inicuar një rezolutë për këtë çështje në Kongresin amerikan", bëri të ditur kreu i PDI-së.
Gjithashtu, Muhedini tha se disa nga zyrtarët amerikanë u angazhuan që vitin tjetër, ta fusin Shqipërinë në agjendën e një vizite në rajon, me qëllim vendosjen e kontakteve direkte me komunitetin çam dhe njohjen e thelluar me problemin e tyre.
Vizita e delegacionit të PDI-së në SHBA është në vazhdën e lëvizjeve të vazhdueshme që kjo parti po bën për ndërkombëtarizimin e çështjes çame.
çështja çame dhe përgjithësisht çështja e minoritetit shqiptar në Greqi lindi me vendimin e Konferencës së Londrës më 1913, e cila e shkëputi këtë trevë shqiptare, duke ia aneksuar atë Greqisë. Që nga kjo kohë fillon një presion i vazhdueshëm, një politikë sistematike e shtetit grek dhe e forcave të ndryshme ultranacionaliste për shkombëtarizimin e kësaj treve, përmes grabitjes së tokës, dëbimit të popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimit në gjuhën amtare, vrasjet, burgimet e deri në masakrat e përgjakshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›