E Diel, 1 Nëntor 2026

PDIU: Opozita greke po nxit oreksin ndaj territoreve tona

TIRANE - PDIU ka reaguar e indinjuar pas konferencës së mbajtur në Athinë me temë “Vorio Epiri, e shkuara, e tashmja, e ardhmja", e organizuar nga partia Demokracia e Re.
Për PDIU, ky është manifestim i drejtpërdrejtë i pretendimeve të vjetra shoviniste territoriale të shtetit grek ndaj vendit tonë, pasi këtu janë bërë thirrje të hapura për të helenizuar territorin e jugut të vendit.

Sipas PDIU, janë propaganduar mashtrime të turpshme edhe për trajtimin e minoritetit grek në Shqipëri. “Në vend që Greqia të distancohet nga këto prirje të errëta të shekullit të kaluar, të angazhohet seriozisht që të zgjidhë çështjen çame, ne shohim që opozita greke synon të nxisë akoma më tej oreksin ndaj territoreve shqiptare.” - thuhet në deklaratën e PDIU-së.

Synimet e mbrapshta të kësaj konference, sipas PDIU-së, i plotëson dhe prania e ish-konsullit Theodhor Ikonomus dhe e shefit të departamentit të politikës së jashtme në partinë Demokracia e Re, deputetit Panos Panajotopulos.

(er.nu/news24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›