E Diel, 1 Nëntor 2026

Tiranë, persona të armatosur tentojnë të grabisin një qytetar

TIRANE -  Dy persona të armatosur kanë tentuar të grabisin një qytetar, i cili sapo kishte dalë nga banesa e tij, në rrugën “Zef Jubani” në kryeqytet. Ngjarja ndodhi pasditen e sotme pranë stadiumit “Dinamo” në Tiranë.

Siç raporton gazetari i NEWS24, Spartak Koka, grabitësit të cilët udhëtonin me një motor me targa 887 A, kanë kërcënuar me armë qytetarin, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, në përpjekje për t'i marrë çantën që mbante në dorë.

Kanë qenë banorët e zonës ata që kanë lajmëruar policinë, duke bërë të mundur ndërhyrjen në kohë të një patrulle policore që ndodhej në afërsi të vendit të ngjarjes. Makina e policisë ka përplasur motorin, teksa grabitësit tentuan të largoheshin nga vendngjarja, por nuk arritën t’i kapnin ata, pasi u larguan duke vrapuar në rrugicat e ngushta të zonës.

Megjithatë, strukturat e policisë kanë bërë të mundur identifikimin e pronarit të motorit dhe janë vënë në kërkim të tij.

Ndërkohë, policia ka marrë në pyetje personin që ka rënë pre e grabitjes, për të mësuar detaje të tjera rreth ngjarjes.

Një ditë më parë, dy persona të maskuar dhe të armatosur grabitën një shumë parash, në një kazino në rrugën “Myslym Shyri” në Tiranë. Policia bëri të mundur arrestimin e njërit prej tyre dhe është vënë në ndjekje të autorit tjetër të ngjarjes, i cili u largua në drejtim të paditur.

Mbrëmjen e së dielës u grabit një tjetër kazino pranë ish-stacionit të fundit të Tiranës së Re, ku një person me maskë ka marrë nën kërcënimin e armës, një shumë prej 500 mijë lekësh të vjetra.

Blutë e kryeqytetit kanë shtuar masat për të parandaluar ngjarje të tilla, të cilat janë bërë të shpeshta ditët e fundit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›