E Diel, 1 Nëntor 2026

PDIU: U zgjidh çështja e rezolutës. Do mbajmë atë të vitit 2004 se ngjan me tonën

pdiuPartia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet ka deklaruar se e ka zgjidhur çështjen e rezolutës. Ata thonë se do mbajnë rezolutën e vitit 2004, pasi ajo ngjan me tekstin e tyre. Thjesht tani do kërkojnë që të hyjë në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

Rezoluta për çështjen çame, e propozuar konsensualisht nga Komisioni i jashtëm i parlamentit në 8 prill 2004, do të hyjë në fuqi brenda pak ditësh me botimin në Fletoren Zyrtare. Ky është konfirmimi i kryetares së Parlamentit, zonjës Jozefina Topalli, bërë dy deputetëve të PDIU-së, zotit Shpëtim Idrizi dhe zotit Dashamir Tahiri. Kjo përgjigje e saj vjen pas hetimit të kryer nga administrata e Kuvendit të Shqipërisë, në bazë të së cilës është konkluduar se rezoluta e vitit 2004 është e miratuar. Kryetarja e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli e ka dërguar tashmë për botim, pas kërkesës zyrtare të dy deputetëve të PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi dhe z. Dashamir Tahiri, thuhet në deklaratë.

Teksti i asaj rezolute ka shumë ngjashmëri me tekstin e propozuar nga PDIU-ja: ajo kërkon heqjen e ligjit të luftës, kthimin e shumë të drejtave dhe lirive njerëzore për shtetasit shqiptarë në përgjithësi dhe çamët në veçanti. E certifikuar dhe riaktivizuar sot, kjo rezolutë shënon ripohimin e vullnetit të Parlamentit për çështjen çame si një çështje që ekziston dhe që duhet zgjidhur medoemos. Tani qeveritë e ardhshme kanë për detyrë që ti përmbahen vullnetit sovran të parlamentit dhe nuk mund ta injorojnë më këtë çështje të rëndësishme kombëtare, vijon deklarata.

Kjo përgjigje e kryetares së Parlamentit të sotëm, e cila ka fuqi të rishikojë gabimet procedurale të legjislaturave të mëparshme, në momentin e hyrjes në fuqi, ka rëndësi jo thjesht juridike, por dhe politike. Nxjerrja nga pluhurat e harresës së atij teksti rezolute për të cilën shoqata Çamëria bëri shumë përpjekje duke u përgjakur me policinë ka kështu një rëndësi simbolike. Presioni dhe këmbëngulja e palëkundur e PDIU-së çoi në shkundjen e parlamentit shqiptar dhe në demaskimin e një përpjekje për të shtrembëruar dhe fshehur miratimin e rezolutës çame në 2004 akt ky që përbën një shkelje të rëndë dhe paprecedentë. Prandaj PDIU do të kërkojë në një moment të përshtatshëm krijimin e një komisioni hetimorë për të sqaruar e zbardhur rrethanat dhe përgjegjësit e fshehjes së rezolutës së miratuar, shton PDIU.

Çamët e quajnë si betejën e parë të fituar miratimin e kësaj rezolute.

PDIU do ti bëjë presion partive të mëdha që ti përmbahen kësaj rezolute, sepse megjithëse kanë kaluar shumë vite, shumë pak është bërë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Rezoluta nuk është qëllim në vetvete: ajo është mjeti për të arritur tek qëllimi: zgjidhja e plotë e çështjes çame, restaurimi i gjithë të drejtave të komunitetit martir çam dhe vënia në vend e dinjitetit kombëtar shqiptar. Konfirmimi i miratimit të kësaj rezolutë përbën një hap të madh e të rëndësishëm në drejtim të përmbushjes së këtij qëllimi të madh e fisnik, përfundon deklarata./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›