PDIU: Veprimi është i paligjshëm dhe sfidues
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dënoi dje atë çka e cilësoi provokim nga disa qarqe të caktuara për ngritjen e një busti të të ndjerit Aristotel Guma në Himarë. Përmes një deklarate të posaçme për shtyp, PDIU kërkon që të mos manipulohet me viktimat dhe që të respektohet kujtimi i të ndjerit Guma. Në këndvështrimin tonë, thuhet në deklaratë, ky është një akt manipulativ që tenton të manipulojë negativisht ndjenjat e minoritetit dhe të shqiptarëve. Drejtuesit e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, që njihet ndryshe si “Partia e Çamëve”, vlerësojnë se në asnjë rrethanë ky provokim nuk i shërben bashkekzistencës së një vendi europian. “Ky veprim është i paligjshëm dhe sfidues, pasi këshilli bashkiak i Himarës e ka refuzuar ngritjen e një busti të tillë. Shteti shqiptar duhet të veprojë për të dekurajuar ata që duan të kthejnë një fatkeqësi, me të cilën po merret drejtësia, në një akt atavist e shovinist e që nxit tensione të panevojshme në mes të sezonit turistik”, insistoi PDIU.