AK: Ngritja e bustit, akt i rëndë provokativ
Zhvillimet e fundit në Himarë janë komentuar dje edhe nga ‘Aleanca Kuq e Zi’. Në një komunikim me publikun drejtuesit e kësaj organizate e konsideruan shumë të rëndë aktin e ndodhur me vendosjen e bustit të të ndjerit Aristotel Guma. “Në territorin e Shqipërisë, deputetë të shtetit fqinj grek së bashku me përfaqësues të shoqatës OMONIA kanë vendosur një bust pa lejen e autoriteteve përkatëse”, u shpreh Endri Shabani. Një vit më parë, tha ai, Aristotel Guma humbi jetën në një aksident rrugor dhe gjejmë rastin të ngushëllojmë sërish familjarët e tij, por falsifikimi me të vdekur dhe viktima është një akt shumë herë më i turpshëm. “Në Shqipëri njerëzit nuk vdesin në mbrojtje të besimit të tyre politik, kulturor apo fetar, kurrë nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë, pasi në Shqipëri mbrohen dhe respektohen divergjencat kulturore e minoritare”, këmbënguli Shabani. E kundërta, në vlerësimin e tij, ka ndodhur në Greqi ku shumë qytetarë shqiptarë kanë humbur jetën për shkak të ekzistencës së frymës së diskriminimit ndaj minoriteteve. Shabani insistoi se nuk kanë qenë ushtarët shqiptarë ata që këndojnë këngë makabre për qytetarët e vendit fqinj, por siç e keni ndjekur kanë qenë ushtarët e vendit fqinj. ‘Aleanca Kuq e Zi’ gjen rastin të kërkojë nga institucionet përkatëse të mbajnë qëndrimin e duhur për këtë rast e të mos lejojnë që në Shqipëri të cenohet shteti ligjor dhe Kushtetuta. Dy ditë më parë ‘Aleanca Kuq e Zi’ reagoi edhe ndaj deklaratave të zyrtarëve grekë mbi regjistrimin e popullsisë në Shqipëri. “Në një kohë kur shteti Shqiptar u garanton të drejta të plota minoritetit grek e të gjitha pakicave kombëtare në vend, është i papranueshëm presioni i qeveritarëve Grekë ndaj çështjeve të brendshme të Shqipërisë siç është regjistrimi i popullsisë”, thuhej në deklaratën e ‘Aleancës Kuq e Zi’. Sipas tyre, qeveria greke, anëtare e unionit të BE, nuk mund të kushtëzojë Shqipërinë për hyrjen në Bashkimin Europian me arsye të pavërteta për pengimin e regjistrimit të minoritetit grek.