E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDIU: Vota jonë po deformohet në disa zona

10/05/2011  Ankesat e çamëve

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet është shprehur dje se vota e saj po deformohet në disa qytete. Sipas zëdhënësit Ardit Bido, në zgjedhjet e 8 majit kjo parti ka rezultuar e suksesshme. “Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet përshëndet atmosferën në të cilën u zhvilluan zgjedhjet gjatë ditës së djeshme. Shqiptarët dje kanë votuar si qytetarë evropianë. Për Shqipërinë dhe shqiptarët është e nevojshme që këto zgjedhje të jenë në përputhje me standardet evropiane. PDIU-ja u bën thirrje forcave politike që janë pjesë e administrimit të procesit zgjedhor që të ruajnë standardet e këtyre zgjedhjeve. Dje nuk ka pasur të fituar dhe të humbur, por kanë fituar proceset integruese të Shqipërisë. Deri më tani PDIU-ja ka arritur rezultate pozitive në të gjithë vendin. Është konfirmuar fitorja e kandidatit të PDIU-së në Bashkinë Rrogozhinë, zoti Ndriçim Dushku. Në bashkinë e Delvinës PDIU-ja është shpallur forcë e parë politike, ndërsa deri tani është forcë e dytë politike në bashkitë Peqin, Rrëshen dhe Bajram Curri. Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet gjatë procesit të numërimit të votave ka vërejtur se po cenohet vota e saj në qarqet Elbasan, Vlorë dhe Berat. PDIU-ja do të ndjekë të gjitha procedurat ligjore për të denoncuar këto parregullsi, ndërkohë që u bën thirrje forcave politike të administrojnë procesin e numërimit sipas standardeve dhe frymës së votimit të qytetarëve shqiptarë”, - tha dje zëdhënësi i kësaj partie. Kjo është hera e parë që një parti ankohet për deformim vote, pasi nuk janë vënë re të tilla në këto zgjedhje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›