E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD mbetet e fortë në bastionet e veta

10/05/2011  “Aleanca për Qytetarin” nuk lëshon në Veri, fiton dhe komuna në Jug

Në ditët në vijim do të jepet një panoramë më e qartë për votën

Nuk ka ndryshuar shumë Partia Demokratike, sidomos në hartën e bastioneve të saj, pas verdiktit që dhanë votuesit më datën 8 maj. Në pjesën dërrmuese të qyteteve, sidomos në Veri të vendit, është konfirmuar fitorja e saj. Ndërkohë koalicioni “Aleanca për Qytetarin” ka regjistruar fitoren në Bashkinë e Lezhës, e cila prej tri mandatesh drejtohej nga të majtët. Në këtë bashki kandidati i LSI-së Viktor Tushe është rikonfirmuar kryetar bashkie me një diferencë prej 300 votash karshi rivalit të tij Gjokë Jaku, i cili për të kandiduar në këtë bashki la mandatin e deputetit.

Veriu

Ndërkohë fitoren e saj PD-ja e ka konfirmuar dhe në qarkun e Kukësit, ku në Bajram Curri dhe Kukës kanë fituar kandidatit e saj. Një gjë e tillë ka ndodhur dhe në Peshkopi, ku Ilir Krosi ka ruajtur të njëjtat pozita si dhe katër vjet më parë dhe ka fituar me një diferencë prej 1400 votash në raport me rivalin e tij të majtë. Po ashtu PD-ja ka arritur të fitojë në Bulqizë si dhe në disa komuna të Dibrës. Por megjithëse ka fituar disa zona në Veri, ka pasur lëshime në disa bashki në Jug, ku në sy bie humbja në Sarandë dhe Ksamil. Ndërkohë ka mbajtur të njëjtat pozita në Delvinë dhe Leskovik. Por ajo që të bie në sy është se PD-ja ka korrur një fitore të thellë sidomos në disa komuna në Juglindje të vendit. Për shembull, në qarkun e Korçës është shënuar një fitore në thuaj të gjitha komunat e këtij qarku. Gjithashtu është rikonfirmuar në krye të Bashkisë së Bilishtit Valter Miza si dhe fitore në shumicën e komunave të Devollit. Një fitore e thellë është vënë re nga ana e “Aleancës për Qytetarin” në disa komuna dhe Bashki të Durrësit, si për shembull Sukthi dhe Rrashbulli ose fitorja e saj në komunën e Kasharit në Tiranë.

Panorama e përgjithshme

Gjithsesi, duke vënë re lëvizjen e votës, sidomos në komuna dhe bashkitë e vogla, nga rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk pritet ndonjë surprizë, sidomos kur bëhet fjalë për votën popullore, e cila nuk ka lëvizur dhe aq, sidomos në raport me dy zgjedhjet e mëparshme. Duket se dhe këto zgjedhje nuk do t’i japin një fitore të kënaqshme asnjë prej partive. Kjo për arsye se sipas parashikimeve të deritanishme PS-ja nuk ka marrë dot një votë plebishitare deri në atë masë sa të kërkojë zgjedhje të parakohshme, ndërsa natyrisht për PD-në do të jetë një fitore që nuk ngjit, pasi pritet humbja në disa qytete kryesore të vendit. Ndërkohë një panoramë më të qartë do të jepet në ditët në vazhdim, kur të përfundojë dhe numërimi i plotë i të gjitha qendrave të votimit dhe kur të jepet një rezultat i saktë se si është votuar për partitë dhe për kandidatët. Duhet theksuar se këto janë zgjedhje lokale dhe ka shumë rëndësi edhe cilësia e kandidatit, që jo në pak raste ka qenë vendimtare në qëndrimin e votuesit përpara kutisë. Jo në pak raste ka ndodhur që vota për kandidatin nuk është e njëjtë me votën e partisë, çka do të thotë se vetë votuesit kanë pasur pakënaqësi me kandidatin që partia u ka sjellë për të votuar. Panorama e përgjithshme më pas do të japë një përgjigje të saktë mbi pretendimin e partive, kryesisht të atyre të krahut të majtë në lidhje dhe me krizën politike që ka përfshirë vendin që prej zgjedhjeve të 28 qershorit 2009.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›