E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekui: BE mbetet e angazhuar për integrimin e Shqipërisë

10/05/2011  Dita e Europës, BE në Tiranë organizoi dje një pritje me rastin e 9 Majit

“Vizioni dhe angazhimi për integrimin në BE janë përgjegjësi e Shqipërisë”

Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë zhvilloi pasditen e djeshme një pritje me rastin e 9 majit, Ditës së Europës. Pas interpretimit të himnit tonë kombëtar dhe himnit të Bashkimit Europian, ambasadori Sekui përshëndeti të gjithë të ftuarit në gjuhën shqipe.

“Gëzuar Ditën e Europës! Jam i lumtur që ndodhem sot mes jush, jam i lumtur që ndodhem në Shqipëri, në këtë vend që më ka pritur me shumë ngrohtësi”, - foli në shqip ambasadori Sekui. Më tej në fjalën e tij përshëndetëse ambasadori i BE-së në Tiranë deklaroi se “BE-ja ka qenë, është dhe mbetet gjithmonë e angazhuar për Shqipërinë dhe në Shqipëri”. Gjithashtu ai vuri në dukje se vizioni dhe angazhimi për integrimin në BE janë përgjegjësi e Shqipërisë. “Për integrimin do të mobilizohen të gjitha energjitë që ekzistojnë në këtë vend, që të bëhet realitet objektivi ynë i përbashkët - integrimi në BE. Kam besim që ky proces do të realizohet dhe do të jetë angazhim i përbashkët i Shqipërisë dhe Europës”, - tha ai. Më tej ambasadori Sekui, duke bërë një përmbledhje të historisë së Bashkimit Europian, theksoi se sot Bashkimi Europian është një kontinent i bashkuar dhe kontinent i demokracisë. “Sot Bashkimi Europian është kontinenti i lirisë, i demokracisë, i paqes dhe tregtisë së lirë”, - u shpreh ambasadori Sekui. Gjatë pritjes së organizuar me rastin e 9 Majit, Ditës së Europës, merrnin pjesë ambasadori i SHBA-ve, Aleksandër Arvizu, kryeministri Sali Berisha, zëvendëskryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.

Mesazhi i BE-së

“Për integrimin do të mobilizohen të gjitha energjitë që ekzistojnë në këtë vend, që të bëhet realitet objektivi ynë i përbashkët - integrimi në BE. Kam besim se ky proces do të realizohet dhe do të jetë angazhim i përbashkët i Shqipërisë dhe Europës”,- tha ambasadori Sekui.

Fatos Nano

Në pritjen e djeshme të organizuar nga zyra e BE-së në Tiranë me rastin e Ditës së Europës ndër të ftuarit e ambasadorit Sekui ishte dhe ish-lideri i opozitës Fatos Nano dhe personalitete nga politika dhe drejtues të medieve shqiptare dhe të huaja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›