E Diel, 1 Nëntor 2026

PDIU reagon ndaj Greqisë: Njih gjenocidin ndaj çamëve dhe mos ndërhy tek punët e brendshme të Shqipërisë

Berisha me dy deputetët e PDIU-së, Tahiri dhe Idrizi

Deputeti çam i parlamentit shqiptar, Dashamir Tahiri ka reaguar mbi deklaratën e Ministrisë së Jashtme greke e cila cilësoi hyrjen në qeveri të dy zv.ministrave të PDIU-së cenim të marrëdhënieve dypalëshe. Në reagimin e Tahirit theksohet se PDIU nuk është parti ultranacionaliste por mbështet kauzën e drejtë të çamëve. Ai i ka bërë thirrje qeverisë greke që respekti i saj për shqiptarët të jetë reciprok.

PDIU është më shume se pala greke e interesuar për marrëdhënie të fqinjësisë së mirë sepse kështu ne e shohim veten më pranë njëri-tjetrit, më pranë të drejtës sonë, më pranë pronave dhe shtëpive tona, të cilat Greqia forcerisht dhe pa asnjë të drejtë po na i mohon akoma dhe sot, shprehet Tahiri.

Deputeti i PDIU-së nënvizon se marrëdhënie të mira dypalëshe do të thotë që Greqia të mos mbajë në përkëmbë ligje lufta dhe njohja e genoncidit edhe kërkimi i faljes për mijëra të vdekur.

Ne nuk jemi parti ultra nacionaliste si ato që keni ju në parlamentin tuaj. Ne i respektojmë minoritetet dhe i mbështesim ato të bëhen pjesë e jetës sonë politike. Por është përtej kompetencave tuaja dhe reciprocitetit të jepni leksione se cila parti shqiptare duhet të bëj pjesë në kabinetin qeveritar shqiptar kur ne mirëpresim te gjithë minoritetin tuaj të jetë i përfaqësuar në të, thuhet në reagimin e Tahirit.

Gjithashtu Tahiri është shprehur se Greqia duhet të pranojë dhe vendimet e gjykatës kushtetuese për marrëveshjen e ujërave.

Dy ditë më parë, zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të Greqisë, Gregori Delavekouras është shprehur se pozicioni i partisë PDIU minon mundësinë për përmirësimin e mëtejshëm dhe forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe. Në këtë pikë ia ka shtuar se Greqia pret nga qeveria shqiptare angazhim konkret për përmirësimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. /F.Stafa/

*   *   *

Çamët në qeveri, Greqia paralajmëron Berishën: Po cenohen marrëdhëniet

Qeveria greke sheh si cenim të marrëdhënieve me Shqipërisë pjesëmarrjen në qeveri të dy zv.ministrave të partisë çame PDIU. Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme, Gregori Delavekouras në konferencën për shtyp mbajtur, i pyetur mbi qëndrimin zyrtar për këtë çështje ka dhënë një përgjigje të tillë.

Delavekouras është shprehur se Greqia është e informuar në lidhje me angazhimin e dy zyrtarëve të PDIU-së në qeverinë shqiptare dhe se po i shikon me kujdes zhvillimet e brendshme në Shqipëri.

Qeveria shqiptare nëpërmjet Kryeministrit, Ministrit të Jashtëm dhe zyrtarëve të tjerë të shtetit kërkojnë forcimin e marrëdhënieve me Greqinë dhe integrimin e Shqipërisë. Kjo dëshirë është reciproke, dhe Greqia ka dëshmuar në praktikë gjatë viteve mbështetjen e saj për Shqipërinë, u shpreh zëdhënësi i ministrisë së Jashtme greke.

Megjithatë, është e njohur gjithashtu se pozicioni i partisë PDIU minon mundësinë për përmirësimin e mëtejshëm dhe forcimin e marrëdhënieve tona dypalëshe, ka nënvizuar Delavekouras.

Në këtë pikë ia ka shtuar se Greqia pret nga qeveria shqiptare angazhim konkret për përmirësimin e marrëdhënieve greko-shqiptare. Ne duam marrëdhënie të mira me Shqipërinë, por një parakusht për këtë është dëshira e ndërsjellë dhe zbatimi praktik i veprimeve që tregojnë respektin midis dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit dypalësh. Deklarata e tij mbyllet me fjalinë se mbrojtja e të drejtave të pakicës kombëtare greke, e përcaktuar si një nga detyrimet për integrimin e Shqipërisë dhe zgjidhja e çështjeve në pritje, përbëjnë prioritet të lartë marrëdhënieve dypalëshe për Greqinë.

Vetëm një ditë më parë Këshilli i Ministrave miratoi vendimin për emërimin e Adrian Tanos zv.ministër i Arsimit dhe Abaz Hados zv.ministër i Kulturës. Greqia është në pritje të zgjidhjes së çështjes së kufirit detar me Shqipërinë, pasi marrëveshja e miratuar në Kuvend është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. /Florenc Stafa/

*   *   *

Denis Dedej

Partia për Drejtësi dhe Unitet përçahet në momentin që zyrtarizohet marrëveshja e bashkëpunimit me Partinë Demokratike. Ditën e djeshme kryeministri Berisha ka vendosur që ti japë dy poste zëvendësministrash kandidatëve të propozuar nga partia çame. Por ky vendim duket se nuk është pritur mirë nga deputeti i kësaj partie, Dashamir Tahiri, i cili ka shprehur habinë për këto emërime, pasi sipas tij, është njohur për to nga televizionet. I kontaktuar nga gazeta Shekulli, deputeti i Qarkut të Vlorës ka deklaruar se emërimet në qeveri nuk janë konsultuar me degën e zonave të cilët ai përfaqëson. Sipas tij, emërimet janë kryer nga kryetari Shpëtim Idrizi pa u konsultuar me askënd.

Zyrtarizimi

Mesditën e djeshme, në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, në seksionin e vendimeve dhe projektligjeve të miratuara në mbledhje, u njoftua dhe për dy vendime të njëpasnjëshme që zyrtarizojnë marrëveshjen PD-PDIU. Bëhet fjalë për emërimin e dy përfaqësuesve politikë në nivelet e dyta të administratës. Me sa duket, pas disa takimesh dhe negociatash, shpeshherë ato janë bërë edhe publike, Sali Berisha dhe Shpëtim Idrizi kanë mundur që të bien dakord për të këmbyer dy votat në parlament me poste në nivel dytësor në qeveri. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 6, të ligjit nr. 9000, datë 30.1.2003, Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, me propozimin e kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi: Ardian Tano të emërohet zëvendësministër i Arsimit dhe Shkencës; Abaz Hado të emërohet zëvendësministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë., – thuhej dje në vendimet e miratuara nga qeveria që mbajnë firmën e kryeministrit. Ende nuk dihet se kush do të jenë postet politike të cilat do të drejtohet nga përfaqësues të partisë çame. Në ditët në vijim pritet të zbardhen dhe detajet e kësaj marrëveshje.

Përçarja

Nga ana tjetër, konkretizimi i kësaj marrëveshje duket se nuk është pritur mirë nga deputeti tjetër i Partisë për Drejtësi dhe Unitet, Dashamir Tahiri. Ai i ka konsideruar këto emërime nën siglën e PDIU-së si zgjedhjeve personale të kryetarit Shpëtim Idrizi dhe të cilat nuk janë konsultuar me të. Ai bëri me dije se së bashku më pjesën të madhe të anëtarëve të partisë nuk kishin dhe nuk kanë asnjë dijeni derisa sa panë në titra në TV emërimet e fundit të qeverisë. Në një njoftim të shpërndarë për mediat, nga adresa e tij elektronike, deputeti i Qarkut të Vlorës kundërshton paktin. Në mungesë të zgjedhjeve të partisë dhe rrjedhimisht të strukturave të saj, deklaroj që ky nuk është një vendim forumesh por një vendim personal i kryetarit. Jam tërësisht i indinjuar të marre vesh këtë lajm nga mediat, tërësisht i indinjuar që vendime të tilla kryen në kundërshtim të plotë me vullnetin vendimmarrës të PDIU,- deklaroi Dashamir Tahiri. Përmes këtij vendimi, sipas tij, nuk është marrë parasysh, Vlora, Saranda si qytete të një qarku që nxori deputetin e parë të PDIU. Gjithashtu ai theksoi se nuk është marrë parasysh në këto emërime as Fieri e Lushnja. Unë deputeti Dashamir Tahiri deklaroj publikisht që nuk bëhem pjesë e këtyre pazareve dhe distancohem nga këto veprime personale të cilitdo qofshin ato,- thuhet në njoftimin e nisur nga deputeti i PDIU-së.

Rusmali uron zgjedhjen e Tahirit në krye të PS-së Tiranës

Zgjedhja e Saimir Tahirit në k

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›