E Diel, 1 Nëntor 2026

Kosovë, zgjedhjet presidencial mund të mbahen vitin që vjen

Ahtifete Jahjaga

Përfaqësues të partive politike nuk dëshirojnë të deklarohen nëse janë për mbajtjen apo jo të zgjedhjeve presidenciale gjatë këtij viti, duke u arsyetuar se janë për respektimin e marrëveshjes së tre liderëve politik (Thaçit, Pacolli dhe Mustafës) dhe se ato do të jenë të gatshme për zgjedhje, sapo të krijohen kushtet për mbajtje të tyre.

Megjithatë, referuar Komisionit, i cili është duke punuar për ndryshimet kushtetuese, e në veçanti për kompetencat e presidentit, i cili është deklaruar se propozimet nuk do të mund të dorëzohen në Kuvend, para qershorit, atëherë mundësitë për mbajtje të tyre, brenda këtij viti, nuk janë as minimale.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se PDK i respekton marrëveshjet, por nuk insiston që ato të mbahen patjetër gjatë këtij viti.

Për më tepër, ai është shprehur skeptik për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, marrë parasysh ndryshimet që po ndodhin në kushtetutë dhe faza e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Ismet Beqiri ka thënë se kjo varet nga dinamik e punës së komisionit.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se në Kosovë duhet të mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Ai ka shtuar se Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe gjithashtu ka nisur mocionin e votëbesimit për qeverinë, për shkak se, siç ka thënë ai, këtë vend po e rrënon qeveria.

Por Ahmet Isufi nga AAK, parti e cila nuk ka qenë nënshkruese e kësaj marrëveshje ka thënë se kjo marrëveshje nuk ka qenë atëherë serioze dhe as tash nuk është.

Nga ana tjetër, shefja e Grupit Parlamentar të Koalicionit për Kosovë të Re, Myzejen Selmani ka thënë se qëndrimi i Koalicionit është që zgjedhjet të mbahen sipas marrëveshjes. / Express/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›