E Diel, 1 Nëntor 2026

PDIU tubim në njësitë 9 e 10 në Tiranë, Idrizi: 7 deputetë në Kuvend

TIRANE - Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet vijoi takimet elektorale në njësitë 9 dhe 10 në Tiranë, ku u prezantua kryesuesi i listës së kandidatëve për deputetë në Qarkun e Tiranës, Tahir Muhedini.

Në tubimin e organizuar në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, vlerësoi se prezenca e 7 deputetëve të PDIU-së në Kuvendin e Shqipërisë do t’i japë një hov të ri zgjidhjes së çështjes çame.

"Në këto katër vjet ne arritëm të nxirrnim nga sirtarët e pluhurosur rezolutën për zgjidhjen e çështjes çame. Pa dyshim që kjo ishte një arritje e rëndësishme, një arritje që së bashku me amendamentet në ligjin e censusit u krye kryefund nga PDIU. Por, në katër vitet e ardhshme beteja është më e fortë, sepse qeveria shqiptare do të duhet të zbatojë me përpikmëri këtë rezolutë. Tashmë, shteti shqiptar ka një dokument ligjor ku duhet të bazohet për t’i dhënë zgjidhje çështjes çame. Deputetët e PDIU-së do të jenë garancia që qeveria shqiptare të zbatojë detyrimet e saj, jo vetëm ndaj shqiptarëve të Çamërisë, por ndaj 7 milionë shqiptarëve në trojet e tyre që duan që çështja çame të marri rrugën përfundimtare të zgjidhjes", - tha kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›