E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK: Përdorimi politik dëmton institucionin e Kishës



Partia Demokristiane e Shqipërisë ka shprehur dje keqardhjen e saj të thellë për përdorimin politik të zëdhënësit të Konferencës Ipeshkvnore nga pushteti ndërsa e ka konsideruar këtë deklaratë një përpjekje për të implikuar në politikë institucionin e Kishës Katolike. Në një deklaratë për shtyp Partia Demokristiane sqaron se ajo nuk është një parti fetare. “PDK është parti politike që e mbështet programin e vet në filozofine kristiane dhe Europiane, të familjes dhe dinjitetit të njeriut, lirisë dhe përgjegjësisë, drejtësisë dhe ligjit, solidaritetit dhe besimit. Të gjitha këto së bashku janë vlerat e demokracive të vërteta perëndimore, që janë themeluar mbi pluralizmin politik, shtetin e së drejtës, pronën private dhe ekonominë sociale të tregut dhe ndarjen e qartë të institucioneve fetare nga shteti. Partia Demokristiane, si parti që udhëhiqet nga filozofia kristiane dhe mbron vlerat kristiane ka si bazë kryesore elektorale komunitetin kristian dhe me gjere dhe është e angazhuar maksimalisht për përfaqësimin e këtij komuniteti, por edhe të gjithë qytetarëve që besojnë në vlerat dhe filozofinë kristiane. Ne kemi bindjen e palekundur se Shqipëria nuk mund të ndërtojë një demokraci perendimore dhe një shoqëri europiane, nëse u kundervihet vlerave dhe filozofisë kristiane, sic ka ndodhur në jo pak raste në realitetin shqiptar”, shkruhet në deklaratën e PDK-së. Kjo parti bën të ditur se nuk ka heshtur dhe nuk do të heshtë, kur votat e zgjedhësve demokristianë grabiten barbarisht nga pushteti, nga PD dhe togat e zeza të ushtarëve të saj të vjedhjes së votave. “Ne nuk kemi heshtur dhe nuk do të heshtim, kur shikojmë një diskriminim të komunitetit katolik dhe një përcmim të vlerave kristiane dhe europiane. Ne kemi shprehur shqetësimin tonë dhe do ta shprehim sërish se qeveria e tanishmë e z. Berisha është e vetmja qeveri në Europë, përveç qeverisë së Turqisë, që nuk ka në përbërjen e vet asnjë Ministër të besimit katolik”, shkruhet në deklaratën për shtyp të PDK-së.

7 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›