E Diel, 1 Nëntor 2026

Statuti, Biberaj propozon kufizim të mandatit të Kryetarit të PD-së



Eljona Ballhysa
Ish-deputeti demokrat Aleksandër Biberaj, aktualisht anëtar i Kryesisë Qendore të PD-së ka hartuar një projektstatut që pritet të shqyrtohet në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që do të mbahet më 14 dhjetor. Në projektin e tij Biberaj propozon ndryshime të guximshme për Partinë Demokratike duke përfshirë nene të ngjashme me statutet e partive të djathta europiane dhe amerikane, siç janë Partia Konservatore angleze, si dhe Partia Republikane amerikane. Biberaj vendos në thelb të projektit të tij zgjedhjen e të gjithë drejtuesve të PD-së, anëtarëve të strukturave vendimmarrëse nga baza në qendër, si dhe të kandidatëve për pushtetin vendor dhe Kuvendin e Shqipërisë në bazë të parimit “një anëtar, një votë”. Ish-deputeti demokrat i propozon Kuvendit Kombëtar të PD-së të miratojë në statut kufizimin e mandatit të kryetarit të partisë, nënkryetarëve dhe sekretarit të Përgjithshëm. Sipas Biberajt kryetari ka të drejtën e zgjedhjes në dy mandate, në rast konkurrimi për mandatin e tretë ai duhet të marrë shumicë të cilësuar votash, pra 2/3 votave të anëtarësisë. Po kështu Biberaj propozon ligjërimin e fraksioneve brenda PD-së. Në një prononcim për mediat, Biberaj theksoi se “në fazën e re, në të cilën ka hyrë Shqipëria pas anëtarësimit në NATO dhe pas hapjes së rrugës për në BE, reformimi, demokratizimi dhe modernizimi i mëtejshëm i PD-së, përbën një domosdoshmëri dhe sfidë të kohës, pasi PD, duke qenë vlerë kombëtare që përmbysi komunizmin dhe ndërmori reforma të thella në shndërrimin dhe integrimin euro-atlantik të vendit, ka nevojë gjithmonë për reformim”.
Arsyetimi
Sipas tij sanksionimi dhe zbatimi i parimit “një anëtar një votë”, rrit ndjeshëm demokracinë e brendshme në parti, si dhe decentralizon vendimmarrjen, pasi i jepet më shumë hapësirë kandidaturave të propozuara nga baza e partisë si dhe atyre që vetëparaqiten, duke marrë edhe përgjegjësitë e përfaqësimit. Biberaj mendon se zbatimi i kësaj formule demokratike institucionalizon diversitetin, debatin dhe mendimin ndryshe, qoftë edhe nëpërmjet ekzistencës së fraksioneve, apo rrymave në parti. “Krijohen premisa për rotacion elitash në parti, pasi të zgjedhurit në lidershipin e partisë, nuk mund të zgjidhen më shumë se dy herë rradhazi dhe në rast humbje, iu ndërpritet mandati.
Institucionalizohet dhe bëhet efektiv funksionimi i partisë, pasi të mandatuarit në drejtimin e partisë do të jenë funksionalë, si dhe rritet dhe fuqizohet ndjeshëm vendim-marrja dhe pesha e forumeve të partisë, siç janë Këshilli Kombëtar, Grupi Parlamentar apo Kryesia e Partisë. Implementohet institucioni i fushatave elektorale brenda partisë, gjë që krijon kushte për konkurencës reale alternativash/programesh brenda partisë, si dhe institucionalizohen kriteret e karrierës, gjë që krijon kushte për respektimin e vlerave dhe kontributeve në PD”, - ka sqaruari anëtari i Kryesisë së PD-së.
Propozime
Përveç sanksionimit të zgjedhjes nëpërmjet parimit një anëtar një votë, Biberaj parashikon kufizimin e mandateve për kryetarin e partisë, nënkryetarët dhe sekretarin e përgjithshëm në mënyrë që drejtuesit e PD-së të mos bëhen të përjetshëm por edhe për të zyrtarizuar kriteret e vazhdimit të karrierës brenda partisë. Sipas anëtarit të Kryesisë Kryetari i Partisë duhet të zgjidhet nga votimi i anëtarësisë së partisë sipas parimit “një anëtarë, një votë”, ku çdo anëtar i partisë gëzon të drejtën për të votuar në mënyrë direkte për kryetarin e partisë. Kandidatët për kryetar partie mund të propozohen nga strukturat e partisë nga baza deri në qendër ose të vetëpropozohen. Fushata zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të partisë duhet të zgjasë jo më pak se tre muaj, kohë gjatë së cilës kandidatët për kryetar prezantojnë së bashku platformën përpara strukturave të partisë. Votimi për kryetar zhvillohet në të njëjtën ditë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ku cdo kandidat mund të ketë anëtar komisioni në çdo qendër votimi. Sipas projektit të Biberajt, Kryetari nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë radhazi. Çdo mandat tjetër kërkon dy të tretat e e votave të anëtarësisë. Mandati i kryetarit të partisë është 4 vjeçar dhe ky mandat ndërpritet nëse partia humbet zgjedhjet e përgjithëshme elektorale. Përsa i përket nënkryetarëve në projekt parashikohet që PD-ja ka dy nënkryetarë, ku njëri është funksional në parti, i emëruar nga kryetari dhe i deleguari i tij, ndërsa tjetri është kryetari i grupit parlamentar dhe që zgjidhet nga grupi parlamentar. Edhe nënkryetarët nuk mund të konsumojnë më shumë se dy mandate radhazi. Ndërsa sekretari i Përgjithshëm zgjidhet çdo katër vjet nga Këshilli Kombëtar dhe është funksional. Ai ashtu si edhe drejtuesit e tjerë nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë radhazi. Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm ndërpritet nëse partia humbet zgjedhjet e përgjithëshme elektorale. Pritet që ky projektstatut të shqyrtohet në Kuvendin Kombëtar të PD-së.

18 propozime për ndryshimin e Statutit të PD-së

PD garanton shprehjen e lirë të mendimit ndryshe dhe institucionalizon rrymat apo flukset e ndryshme që e përbëjnë atë, të organizuara këto sipas modeleve të funksionimit të rrymave apo fraksioneve në partitë demokratike perëndimore.

Funksionimi i PD bazohet në demokracinë e brendshme, e shprehur kjo edhe përmes votës së të gjithë anëtarëve të saj, duke respektuar dhe zbatuar parimin më demokratik “një anëtarë, një votë” në zgjedhjen e drejtuesve të partisë të të gjitha niveleve.

Anëtari i PD-së nuk duhet të ketë qenë pjesë e nomenklaturës së sistemit komunist apo ish-Sigurimit të Shtetit si dhe bashkëpunëtor legale apo ilegale i këtij shërbimi;

Çdo anëtar i partisë ka të drejtën të propozojë dhe të propozohet (përfshirë edhe vetë-propozimin) për të gjitha organet legjislative e ekzekutive që përfaqësojnë PD sipas kushteve që parashikohen në këtë Statut.

Kandidaturat për zgjedhjet e qeverisjes vendore dhe për Kuvendin e Shqipërisë votohen nga anëtarësia e partisë së territorit përkatës, sipas parimit një anëtar, një votë. Kandidatët propozohen nga strukturat e partisë ose vetëparaqiten (vetë-propozohen).

Kryesia e PD mund të propozojë kandidatë për zgjedhjet vendore dhe cakton krerët e listave për zgjedhjet e përgjithshme deri në masën 15 %., të cilët nuk votohen.

Këshilli Kombëtar zgjedh ndërmjet anëtarëve të tij, me votim të fshehtë
njëzetepesë anëtarë të Kryesisë së Partisë nga një listë ku numri i kanditatëve duhet të mos jetë më pak se 1.5 herë më i madh se numri njëzetepesë.

Çdo anëtar i Këshillit Kombëtar ka të drejtën të propozojë ose të vetë-paraqesë kandidaturën e tij për në kryesi.

Këshilli Kombëtar voton kandidatët për President, Kryetar Kuvendi dhe Kryeministër kur këto poste i përkasin PD-së.

Ai përcakton kriteret e karrierës në parti.

Kryetari i Partisë emëron Nënkryetarin funksional të Partisë, zëdhënësin e shtypit të Partisë, si dhe kryeredaktorin e gazetës së partisë.

Kryetari i Partisë zgjidhet nga votimi i anëtarësisë së partisë sipas parimit një anëtarë, një votë, ku çdo anëtar i partisë gëzon të drejtën për të votuar në mënyrë direkte për kryetarin e partisë. Kandidatët për kryetar partie mund të propozohen nga strukturat e partisë nga baza deri në qendër ose të vetëparaqiten.

Fushata zgjedhore për zgjedhjen e kryetarit të partisë duhet të zgjasë jo më pak se tre muaj, kohë gjatë së cilës kandidatët për kryetar prezantojnë së bashku platformën përpara strukturave të partisë (seksion, grupseksion, nëndegë apo degë).

Kryetari nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë radhazi. Çdo mandat tjetër kërkon dy të tretat e votave të anëtarësisë.

Mandati i kryetarit të partisë është 4 vjeçar. Ky mandat ndërpritet nëse partia humbet zgjedhjet e përgjithëshme elektorale.

PDSH ka dy nënkryetarë, ku njëri është funksional në parti, i emëruar nga kryetari dhe i deleguari i tij, ndërsa tjetri është kryetari i grupit parlamentar dhe që zgjidhet nga grupi parlamentar.

Nënkryetarët nuk mund të konsumojnë më shumë se dy mandate radhazi.

Sekretari i Përgjithshëm zgjidhet çdo katër vjet nga Këshilli Kombëtar dhe është funksional. Sekretari i Përgjithshëm nuk mund të zgjidhet më shumë se dy herë radhazi.
Mandati i Sekretarit të Përgjithshëm ndërpritet nëse partia humbet zgjedhjet e përgjithëshme elektorale.

7 Dhjetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›