E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK e LDK njohin vendimin e KZAP-it

PRISHTINë- Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) deklaruan se njohin vendimin e djeshëm të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), i cili ka udhëzuar Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) që të përsërisë votimet e balotazhit në tri komuna, Prizren, Gjilan dhe Lipjan. “PDK konsideron se KZAP-i si institucion i pavarur ka marrë një vendim sipas kompetencave kushtetuese dhe ligjore që ka, dhe e njeh këtë vendim”, deklaroi sot Hajredin Kuçi, nënkryetar i partisë. Edhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar mbrëmë se kjo parti “e pranon vendimin nga organi kushtetues, i cili është i thirrur dhe është i vetmi autoritet më i lartë që të shqyrtojë të gjitha ankesat, rregullshmërinë e procesit dhe procedurat zgjedhore”. KZAP-i shqyrtoi dhe pranoi dje 43 ankesa dhe në bazë të ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale në Kosovë, ka udhëzuar KQZ-në të urdhërojë përsëritjen e votimit në tri komunat. Lidhur me këtë udhëzim, KQZ pritet të marrë vendim nesër. (e.n/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›