“Ngrin” Seria A, anullohen katër ndeshje
Moti i keq që ka përfshirë Italinë ditët e fundit, ka bërë që disa prej stadiumeve në të cilat do të luheshin ndeshjet e javës së 17-të të Serisë A, të mos jenë në gjendjen e duhur për zhvillimin e ndeshjeve. Temperaturat nën zero kanë krijuar probleme me terrenet dhe me shkalltë e stadiumit në Firence, Udine, Bolonja dhe së fundi në Xhenova.Dje u shty për në një datë të papërcaktuar takimi midis Fiorentinës dhe Milanit dhe ai midis Bolonjës dhe Atalantës. Ndërkohë që sot është bërë zyrtar njoftimi se Udineze-Kaljari nuk do të luhet, ashtu si Xhenova-Bari. Përgjegjësit e sigurisë në stadiumin “Luixhi Ferrari” të Xhenovas kanë urdhëruar moslejimin e zhvillimit të kësaj sfide, pasi stadiumi nuk është në gjendjen e duhur.