PDK-ja feston 17-vjetorin, Ndoka: Rrënjët i kemi te Fishta
Partia Demokristiane ka festuar dje 17-vjetorin e krijimit. Edhe pse aty nuk ishin shumë nga themeluesit e saj, kryetari aktual, Nard Ndoka, e ka krahasuar këtë ditë themelimi me protestat e Dhjetorit 1990. Sipas tij, “11 dhjetori është ditëlindja e pluralizmit politik, por për ne demokristianët shqiptarë, kjo datë simbolizon gëzim të dyfishtë. Shumë prej nesh, studentë dhe pedagogë, punëtorë dhe ish-të përndjekur politikë morën pjesë në protestat studentore që sollën demokracinë dhe sistemin shumëpartiak”. “Njëherësh, këta themelues të pluralizmit u ribashkuan për të sjellë në skenën politike një parti të re, Partinë Demokristiane, si parti e vlerave të traditës, parti e frymës dhe aspiratës evropiane, si një parti që ka një simbolikë dhe rëndësi të veçantë për vetë shoqërinë dhe sistemin politik në vendin tonë”, - tha Ndoka. Por ai nuk e ka parë fillesën e partisë para 17 vitesh, duke e çuar atë shumë më përpara në kohë, tek Fishta. “PDK-ja sot feston 17-vjetorin. 17 vjet janë pak për një lëvizje historike dhe evropiane që nis me Fishtën e madh dhe vijon me Prenushin dhe i mbijeton diktaturës komuniste me At Zef Pllumin”, - theksoi kreu i PDK-së. Ai ka ftuar demokristianët e larguar nga partia dhe kundërshtarët e tij që të rikthehen në parti, duke e cilësuar faljen si virtytin më të lartë të demokristianëve.