E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS-ja nuk pranon negociata, sulmon Topin

Partia Socialiste nuk pranon negociata me Lëvizjen Socialiste për Integrim, një ditë pasi dialogun mes tyre e kërkoi edhe Kryeministri. Por në të kundërt, ashpërson tonet me Presidentin Bamir Topi dhe kërkon që Kodi Zgjedhor të kalojë sa më shpejt në Kuvend. Dekreti i tij, për PS-në është bërë sebepi i situatës së krijuar, ndërsa socialistët e konsiderojnë çështje të mbyllur Kodin duke mos pranuar ndërhyrje në të. Në arsyetimin politik të socialistëve, nëse Presidenti nuk do të kishte rikthyer Kodin Zgjedhor në Kuvend, tani ai do të ishte vërtet çështje e mbyllur dhe LSI-ja nuk do të niste sërish nga pretendimet e veta. Në përgjigje të deklaratave të Kryeministrit, i cili kërkoi dialog mes të majtëve për ligjin elektoral, kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, tha se PS-ja e konsideron joserioz qëndrimin e Kryeministrit Berisha lidhur me Kodin Zgjedhor, ndërkohë ajo kërkoi që Parlamenti s'duhet të vonojë në asnjë mënyrë procesin e zbatimit të Kodit për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. “Vonesa e shkaktuar nga dekreti presidencial, i cili mund të ishte shmangur lehtësisht pa asnjë problem kushtetues nga ana e vetë Presidentit, s'duhet të zgjatet pa asnjë nevojë nga ana e Kryeministrit”, - tha Leskaj ndër të tjera. Ditën e dekretit, PS-ja në një njoftim për shtyp u shpreh mirëkuptuese ndaj pretendimit të Presidentit dhe për të përshpejtuar procesin e rivotimit, u shpreh e gatshme që t’i votojë ato, edhe pse nuk shihte ndonjë përplasje nenesh sikundër pretendon Presidenti. Më tej, Leskaj konsideroi se Kryeministri po bënte diversion me marrëdhëniet PS-LSI. Veç të tjerash, PS-ja artikuloi dje qëndrimet të saj zyrtare për reformën në drejtësi. Në lidhje me ligjin e prokurorisë, Leskaj bëri të ditur se PS-ja është e gatshme që kontribuojë e të japë konsensus për një ligj të ri që forcon pavarësinë kushtetuese e financiare të prokurorisë, që rrit efektshmërinë e saj në hetimin e krimit e të korrupsionit, por kurrsesi për një ligj që e kufizon pavarësinë e organit të akuzës dhe prodhon trysni mbi prokurorët. “Kryeministri dhe mazhoranca kuvendore nuk duhet ta bëjnë lëmsh axhendën kombëtare të dy reformave të mëdha. Ndërkohë që e para, ajo elektorale, mund dhe duhet mbyllur menjëherë, pasi koha nuk pret. E dyta, reforma në drejtësi, s'mund dhe s'duhet mbyllur në rrethin vicioz të interesave politike të palës që qeveris”, - përfundoi kryetarja e grupit socialist.

“Falja” e Ruçit dhe Gjinushit, PS: Kjo s’mund të na mbyllë gojën

Çështja më e debatueshme e ditëve të fundit është ligji i dosjeve të spiunëve, i cili lë jashtë verifikimit dy figura të së majtës, numrin dy të PS-së, Gramoz Ruçi dhe kreun e PSD-së, Skënder Gjinushi. Por PS-ja i bën të qartë mazhorancës se me këtë gjë nuk mund t’i mbyllet goja opozitës për çështje të tjera, me një qëndrim me tone parimore se mbi të gjitha PS-ja shprehet se i intereson opozitarizmi sesa verifikimi i një prej njerëzve më të rëndësishëm të saj. Kryetari i Asamblesë, Ruçi, u “braktis” nga socialistët të cilët u shprehën të gatshëm për të hedhur dritë mbi të shkuarën e të gjithë atyre që duan të merren me politikë, për hir të opozitarizmit për çështje si Gërdeci apo ligji i prokurorisë. “Nuk mund të përdoret kali i një beteje morale si ajo me hijet e diktaturës komuniste për të shpëtuar të pandehurit e mazhorancës nga hetimi e gjykimi i drejtësisë. Ne jemi gati të japim konsensus për të hedhur dritë mbi të shkuarën e të gjithë atyre që duan të merren me politikë, por jo për të mos lejuar që të merren me profesionin e tyre ata që po hetojnë për të hedhur dritë në gropat e korrupsionit qeveritar”, - u shpreh Leskaj.

LSI: Rama e Leskaj të mos shesin zgjedhjet si lejet e ndërtimit

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Sokol Axhemi, reagoi dje pas deklaratës së kryetares së grupit parlamentar të PS-së, Velentina Leskaj, e cila u shpreh se Sali Berishën nuk mund ta mbajë në pushtet Ilir Meta me mllefin e tij.

Nënkryetari i LSI-së, Axhemi, pasi theksoi se kjo është një deklaratë e turpshme dhe e rreme, theksoi se deklarata të tilla dëshmojnë se “kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është i trembur nga zgjedhjet e lira dhe se tashmë Rama po tregon se është kundër të gjithëve për prishjen e zgjedhjeve”. Duke u nisur nga fakti se edhe faktori ndërkombëtar është angazhuar gjithnjë dhe më shumë për një Kod Zgjedhor gjithëpërfshirës, nënkryetari Axhemi theksoi se “Rama po del edhe kundër ndërkombëtarëve për gjithëpërfshirjen në administrimin e zgjedhjeve”.

Duke vijuar reagimin e tij ndaj deklaratës së Valentina Leskajt, nënkryetari i LSI-së, Sokol Axhemi, i kujtoi Leskajt që të mos ngatërrojë zgjedhjet me lejet e ndërtimit, ndërsa i ka kërkuar si asaj, ashtu dhe kryetarit të PS-së, Rama, të mos shesin zgjedhjet si lejet e ndërtimit. “Rama e Leskaj mos të shesin zgjedhjet si lejet e ndërtimit”, - u shpreh Axhemi.

Braho: Rama po sillet si adoleshent

Anëtari i kryesisë së LSI-së, njëherësh edhe përfaqësues në komisionin ku u hartua ligji elektoral, Spartak Braho, konfirmoi dje se kjo parti nuk ka marrë asnjë përgjigje nga Partia Socialiste për Kodin Zgjedhor. “Edi Rama, ndonëse është kryetar i një partie që ende quhet e madhe, po sillet si i vogël, si adoleshent, duke mos u bërë i përgjegjshëm për t’u dhënë përgjigje ofertave apo angazhimeve, që ditët e fundit janë vënë në lëvizje edhe nga faktori ndërkombëtar për standardet që duhet të kenë zgjedhjet dhe gjithëpërfshirje njëkohësisht në administrimin e tyre”, - tha Braho. Referuar deklaratave të Kryeministrit dy ditë më parë, Braho tha se Berisha po përpiqet të heqë përgjegjësinë për Kodin para ndërkombëtarëve, duke ia lënë faturën Ramës. “Por ai harron se kjo faturë është edhe pjesë e përgjegjësive të tij. Ai përgjigjet për standardet e zgjedhjeve, për realizimin e këtyre standardeve dhe tërë procesin zgjedhor, që të jetë gjithëpërfshirës”, - tha ai.

LSI: PS-ja të mos bëjë pazare me ligjin e prokurorisë

Lëvizja Socialiste për Integrim u shpreh dje kundër ligjit për funksionimin e prokurorisë, ndërsa i kërkoi Partisë Socialiste që të mos bëjë pazare apo lëshime me mazhorancën. “Ndërkohë që edhe pjesa tjetër e opozitës nuk duhet ta bëjë këtë projektligj pjesë të pazareve, lojërave dhe lëshimeve joparimore me PD-në”, - tha Braho. Ai vërejti se ligji prek rëndë pavarësinë e organit të prokurorisë, prek dhe cenon mbrojtjen e prokurorëve dhe i lë ata në mëshirën e politikës.

Ai vërejti se ligji eliminon rolin e Presidentit, nëpërmjet suprimimit të përfaqësuesit të tij në Këshillin e Prokurorisë. “Në grupin e saj parlamentar ky p/ligj nuk do të kalojë dhe nuk do të votohet për gjendjen sikurse është. Me këtë rast ne çmojmë të domosdoshme, që edhe vetë organi i Prokurorisë së Përgjithshme të reagojë në të gjitha hallkat, të mos japë shenja lodhjeje dhe indiference, të imponuara nga strukturat e politikës dhe pushtetit të mazhorancës”, - deklaroi Braho. I pyetur në lidhje me ligjin e dosjeve, ai tha se është ligj që drejtohet kundër prokurorëve aktualë, të cilët, me përvojën e tyre dhe me praninë e tyre në hetimin e mjaft proceseve të rëndësishme, janë prezent. “Nuk dua të përmend emra, por ligji i dosjeve, ligji i spiunëve, është një ligj që ekskluzivisht është bërë që të trembë prokurorët me përvojë”, - përfundoi Braho.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›