E Diel, 1 Nëntor 2026

Lange, takim me Topallin: Ndryshimet e Shqipërisë, të dukshme



Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti dje në një takim në zyrën e saj përfaqësuesin e lartë të Komisionit Evropian, Dirk Lange, i cili i konfirmoi asaj se Shqipëria ka bërë hapa para në procesin e integrimit për në BE. “Shqipëria ka hyrë në një fazë të re në rrugën e saj integruese, ajo ka ecur shumë përpara në 3 vitet e fundit dhe ndryshimet e bëra janë të dukshme e të konsiderueshme. Dyshimet duken që kur zbret në aeroport, kur ecën në rrugët e reja e më pas në progresin qartësisht evident”, - ishte vlerësimi i bërë sot nga drejtori për Shqipërinë në Komisionin Evropian, Dirk Lange.

Nga ana e saj, kryetarja e Kuvendit tha se Shqipëria do të bëjë ç’është e mundur për të rritur më tej standardet për integrimin e vendit. “Më përmbylljen e ratifikimit të MSA-së, Shqipëria do të kërkojë një tjetër marrëdhënie me BE-në, atë të statusit të kandidatit, ndërkohë që besojmë se në samitin e ardhshëm, në pranverë 2009, do të jemi anëtarë të NATO-s. Objektivi ynë i afërt janë zgjedhjet e ardhshme dhe jemi të vendosur që të realizojmë zgjedhjet më të lira e të ndershme që Shqipëria ka pasur. Me realizimin së shpejti të pasaportave biometrike dhe kartave të identitetit, do të mund të kemi zgjedhje me standarde”, - tha kryetarja e Kuvendit.

Kuvendi miraton në unanimitet ligjin për përmbarimin privat dhe Policinë e Burgjeve

Kuvendi miratoi dje në unanimitet me 97 vota pro, vetëm 1 kundër, projektligjin e Ministrisë së Drejtësisë për përmbarimin privat. Tashmë pritet që krahas përmbarimit shtetëror të ketë edhe përmbarim privat, i cili do të ndihmojë në dhënien e drejtësisë. Mundësia e kësaj alternative do të bëjë që vendimet e gjykatave të zbatohen më mirë dhe më shpejt. Njëkohësisht, Kuvendi miratoi në unanimitet edhe projektligjin tjetër të Ministrisë së Drejtësisë, atë të Policisë së Burgjeve. Deputetët kanë vlerësuar këto projektligje, si nga ana e mazhorancës, ashtu edhe ata të opozitës, të cilët votuan dje pro këtyre nismave ligjore. Një ndër reformat që propozon ky projekt, është liberalizmi i shërbimit përmbarimor, i munguar deri më sot. Synohet ushtrimi i dy sistemeve paralele ekzekutimi: shërbimi përmbarimor shtetëror dhe shërbimi përmbarimor privat. Transformimi në një shërbim privat do të mund të realizohet jo menjëherë, por pas një periudhe kohore, pasi të bëhen ndryshimet përkatëse të akteve ligjore dhe nënligjore në bazë të të cilave do të veprojë shërbimi përmbarimor gjyqësor privat. Zbatimi i sistemit të dyfishtë do të jetë transitor. Pagimi i të gjitha shërbimeve nga shërbimi privat do të sjellë rritjen e tarifave për palët në proces ekzekutimi, të cilat ndoshta nuk mund t’i përgjigjen financiarisht rritjes së tarifës, duke bërë të pamundur zgjedhjen e të drejtave të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›