Deputetët grevistë, rëndohet gjendja shëndetësore, por negociatat ende pezull
Rëndohet gjendja shëndetësore e 10 deputetëve grevistë, të cilët sot kanë hyrë në ditën e tyre të gjashtë të grevës së urisë. Gjatë ditës së djeshme është bërë e ditur se pothuajse të gjithë deputetët kanë pasur probleme të theksuara shëndetësore. Madje, sipas zëdhënësit të grevës, Dritan Prifti, njërit prej deputetëve i rrezikohet seriozisht jeta në rast se ai do të vijojë protestën ekstreme. Të dhjetë deputetët i janë nënshtruar kujdesit mjekësor, pasi ata kanë shfaqur dje probleme mjaft serioze.
Ky informacion ka sjellë sensibilizimin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila paraditen e djeshme është nisur urgjentisht drejt sallës së Kuvendit të Shqipërisë, për t’u interesuar më nga afër për gjendjen e deputetëve. Kjo është vizita e dytë e Topallit në drejtim të 10 deputetëve grevistë të LSI-së, PDK-së dhe PS ’91-shit. Pavarësisht sensibilizimit të madh vendas dhe të huaj për grevën e urisë së 10 deputetëve të Kuvendit, negociatat për plotësimin e kërkesave të tyre kanë mbetur ende në vend. Kryeministri Berisha është shfajësuar duke deklaruar se është i detyruar që të mirëpresë propozimin e partisë kryesore të opozitës, pra Partisë Socialiste, për miratimin e Kodit të ri Zgjedhor. Nga ana tjetër, Partia Socialiste nuk ka dhënë asnjë sinjal për të gjetur rrugën e dialogut me deputetët grevistë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, PS ’91-shit dhe Partisë Demokristiane. Zëdhënësi i grevës, Dritan Prifti, tha se është kontaktuar kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, për zhvillimin e negociatave. Por kjo e fundit ka bërë të ditur se më parë do të diskutojë me krerët e Partisë Socialiste në lidhje me këtë çështje. Zëdhënësi i grevës, Dritan Prifti, tha se nuk do të pritet deri ditën e hënë për zgjidhjen e krizës dhe se shpresonte që negociatat të zhvilloheshin sa më shpejt.
15 Nentor 2008