Sarandë, bllokohen rreth 300 kg kanabis, 3 në pranga
SARANDE- Një sasi e madhe lënde narkotike u sekuestrua sot në qytetin e Delvinës. Policia e Sarandës bën të ditur se janë sekuestruar rreth 300 kg kanabis sativa e cila vinte nga komuna e Lazaratit në Gjirokastër. Policia ka vënë në pranga tre persona të cilët po transportonin lëndën narkotike.Sipas të dhënave të para të hetimit droga kishte destinacion Greqinë dhe do të mbërrinte atje nëpërmjet Sarandës.
Policia bën të ditur vetëm identitetin e njërit prej të arrestuarve, A. Graci nga fshati Bajkaj i Delvinës.
Kjo është ngarkesa e tretë e drogës që sekuestrohet brenda disa ditësh dhe që policia thotë se ëhtë prodhuar në Lazarat. Vetëm pak ditë më parë më 5 nëntor në një operacion të koduar “Vazhdimi” policia e Gjirokastrës bllokoi 40 kilogram kanabis dhe prangosi një 23 vjecar. Në operacionin e koduar “Fillimi” që u ndërmor nga policia më 8 tetor të këtij viti u sekuestruan 296 kilogram kanabis e prodhuar po në komunën e Lazaratit. Droga u gjet e mbuluar me disa arka bananesh në një makinë tip benz furgon gjatë një operacioni në aksin nacional Gjirokastër Përmet. Policia prangosi transportuesin e drogës Petrit Teharaj 40 vjec.
(s.g/BalkanWeb)