PDK-ja në koalicion të djathtë, pa PD-në

I ftuar në Ora News, kreu i PDK-së, Nard Ndoka deklaroi se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare partia e tij do të hyjë në një koalicion të së djathtës pa përfshirë PD-në. "Në fund të shkurtit do jetë koha që PDK-ja do formalizojë aleancat demokristiane. Ne jemi për krijimin e një të djathte të vërtetë jashtë PD-së", deklaroi Ndoka. Kreu i PDK-së theksoi se janë shumë parti politike që do i bashkohen grupimit të kësaj partie dhe konsultat me këto parti kanë përfunduar. Lidhur me përgatitjet për zgjedhjet e 2009-ës, Ndoka deklaroi se PDK-ja është në procesin e zgjedhjes së kandidatuarve, madje në disa qarqe kjo përzgjedhje ka përfundur. "Përzgjedhja e kandidaturave është bërë nëpërmjet bazës së partisë dhe në disa qytetet si Dibra e Elbasani përzgjedhja ka përfunduar ,"shpjegoi ai. Kryetari i PDK-së e konsideroi shumë pozitive fillimin e shpërndarjes së kartave të identitetit në Shqipëri. Sipas tij kjo reflekton realizimin e një prej premtimeve kryesore të dhëna nga mazhoranca para ardhjes në pushtet. Lidhur me bllokimin e gazetës "Tema", Ndoka u shpreh se fakti që çdo godinë duhet të largohet për institucionet , pa iu dhënë nëj tjetër godinë lë një shije të hidhur. "Fakti që "Tema" u largua pa një tjetër godinë lë një shije lufte ndaj medias", u shpreh ai. Sipas Ndokës PDK-ja ka dënuar aktin e bllokimit ndaj kësaj gazete edhe pse për shumë kohë vetë Baze "ka kafshuar" shumë persona me dhëmbët e Berishës nëpërmjet gazetës së tij. "Sot ka mjaft probleme që ekzistojnë mes pushtetit dhe medias, dhe këtu nuk mund të përmend vetëm Berishën, por edhe Ramën. Të dy këta drejtues kanë marrë një pozitë që ose sulmojnë median ose i kërkojnë pranë vetës për t'i mbrojtur", tha Ndoka. Në fund të fjalës së tij në Ora News Ndoka deklaroi se kryesfida e Shqipërisë në këtë vit është realizimi i zgjedhjeve të lira,demokratike dhe të ndershme. "Zgjedhjet e lira janë një gur i rëndë së pari për kryeministrin Berisha", tha ai.