E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria mashtron me rritjen e pagës minimale, skema falimenton industrialistët

Rritja e pagës minimale shton taksat dhe koston e punës për pronarët. Industrialistët detyrohen të pushojnë nga puna 100 mijë punonjës

Ervin KOÇI

Vendimi më i fundit i qeverisë për rritjen e pagës minimale deri në 18 mijë lekë, si dhe ulja e pagesës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore nga 20 në 15 për qind, është një skemë e rafinuar që falimenton industrialistët shqiptarë. Ky vendim, që rrit nga 17 në 18 mijë lekë pagesën minimale për punëtorët e industrisë, shton automatikisht taksat dhe, për pasojë, rrit edhe koston e punës që i kushton një pronari për çdo punëtor. Ekspertët e ekonomisë dhe industrialistët, të kontaktuar dje nga gazeta “Albania”, e kanë pranuar këtë fakt, i cili, sipas tyre, përkthehet në falimentim për sipërmarrësit dhe në shtim të numrit të të papunëve. Sipas ekspertëve të ekonomisë, “ata që do të humbasin nga kjo skemë do të jenë direkt punëtorët, pasi kostoja për ta bëhet e papërballueshme nga punëdhënësit, të cilët ose do t’i punësojnë part-time (me kohë të pjesshme), ose do t’i heqin fare nga puna”. Ekspertët shtojnë më tej se vendimi më i fundit i qeverisë, në mënyrë të drejtpërdrejtë, fasonistëve u rrit koston e prodhimit, u ul konkurrueshmërinë dhe në të njëjtën kohë rrit automatikisht papunësinë. Sipas ekspertëve, kjo skemë është përdorur për të disatën herë nga qeveria në këto 4 vite. “Paga minimale është rritur për të pestën herë radhazi në 4 vite të qeverisë demokratike, me qëllim taksimin e mbi 100 mijë të punësuarve në sektorin e industrisë, për të cilët taksat dhe detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore duhet t’i paguajnë sipërmarrësit (punëdhënësit)”,- thonë ekspertët e ekonomisë. Në këtë mënyrë qeveria çdo vit arkëton disa miliardë lekë taksa nga pagesa e këtyre detyrimeve.

Skema
Për një pagë minimale që qeveria shqiptare e ka vendosur që nga data 1 maj i këtij viti 18 mijë lekë, efekti që rëndon te punëdhënësi shkon deri në 20 700 lekë. Ekspertët e ekonomisë thonë se kësaj shume, pra pagës minimale prej 18 mijë lekësh i shtohen të gjitha taksat, përfshi edhe TVSH-në 20 për qind, si dhe pagesat e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, kësaj page kostoja totale i shkon në 20 700 lekë në total, edhe pse punëtori merr në dorë (neto) më pak se 18 mijë lekë, pasi edhe ato atij i taksohen nga shteti. Në këtë mënyrë shteti fiton me anë të taksave mbi këtë pagë nga të dy krahët, duke rrjepur si punëdhënësin (sipërmarrësin), ashtu dhe punëtorin. Ndërkohë, ekspertët përmendin faktin se, “kur paga minimale ishte 17 mijë lekë, efekti nga taksat që asaj i ngarkoheshin shkonte në 20 400 lekë për sipërmarrësit”. Ekspertët shtojnë se, në praktikë, rritja e pagës minimale për punëtorët e sektorit të industrisë, të cilët në pjesën më të madhe përfitojnë pagë minimale, nuk ka asnjë efekt përfitimi tek ta, pasi ajo vetëm sa taksohet më tepër dhe përfitimet i shkojnë vetëm shtetit. Pra, duke lënë mënjanë mendimin e specialistëve të ekonomisë, që kanë sqaruar këtë vendim të qeverisë, efekti i vetëm i kësaj rritjeje është përfitimi që shteti merr nga rritja e taksave për pagën dhe për sigurimet shoqërore e shëndetësore, që në këtë rast i paguajnë vetëm ata që janë të punësuar.

Efekti

Rritja e pagës minimale në vend me 1 mijë lekë, pra nga 17 në 18 mijë lekë, shoqërohet në të njëjtën kohë me një rritje të taksave dhe sigurimeve shoqërore me rreth 250 lekë, si dhe tatimin mbi të ardhurat personale me 75 lekë. Pra, për një punëtor të industrisë me fason, në 1 mijë lekë që shteti i ka shtuar pagës së tij, po ky shtet i merr atij 325 lekë taksa. Në këtë mënyrë, në total, qeveria pritet që të arkëtojë deri në fund të këtij viti nga këto taksa mbi pagën minimale rreth 3 milionë dollarë. Vendimi i marrë dy ditë më parë nga qeveria i shtrin efektet e tij financiare që nga data 1 maj 2009, datë në të cilën ka hyrë në fuqi edhe aplikimi i uljes me 5 për qind të kontributeve të sigurimeve shoqërore, duke u bërë nga 20 në 15 për qind. Për këto të fundit, specialistë të ndryshëm e lidhin me vendimin për uljen me 5 për qind të masës së kontributeve të sigurimeve shoqërore që punëdhënësit duhet të paguajnë për punonjësit. Sipas tyre, “kjo është një mënyrë për të lehtësuar sadopak efektin financiar prej 4 miliardë lekësh, që pritet të ketë aplikimi i ndryshimeve në ligjin ‘Për kontributet shoqërore’, për uljen e masës së sigurimeve shoqërore që duhet të paguhet për çdo punonjës”. Duke u rritur niveli i pagës minimale, theksojnë ata, rritet edhe masa e kontributeve shoqërore që duhet të paguhen. Sipas ndryshimeve të miratuara disa javë më parë në Kuvend, që nga data 1 maj 2009, punëdhënësit do të paguajnë 24.5 për qind të pagës bruto të punonjësve të tyre, si kontribute për sigurimet shoqërore, nga 29.5 për qind që ishte para kësaj date.

Vendimi më i fundit i qeverisë për rritjen e pagës minimale

Rritet me 5.9 për qind paga minimale. Në mbledhjen e fundit Këshilli i Ministrave ka miratuar rritjen e pagës minimale, e cila nuk do të jetë më 17 mijë lekë në muaj, por duke nisur nga data 1 maj nuk do të ketë më pagë minimale nën 18 mijë lekë në muaj. Paga minimale prej 18 mijë lekësh në muaj është në nivelin e minimumit jetik për një të punësuar, pra me këtë rritje edhe paga e punonjësve që punojnë në punët më të thjeshta dhe janë fillestarë në punë është mbi minimumin jetik për një të punësuar. Sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, dëmshmëri shëndeti, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë etj., të cilat shkojnë mesatarisht 50 për qind mbi pagën bazë. Duke llogaritur këto shtesa, paga për punonjësit që punojnë në punët më të thjeshta në sektorin shtetëror shkon mesatarisht në rreth 27 mijë lekë në muaj. Ndërkohë që është parashikuar edhe paga orare në masën 103 lekë, me qëllim që të mbrohen më mirë punonjësit që punojnë me kohë të pjesshme, ose jashtë kohës normale të punës. Në këtë projektvendim nuk janë evidentuar efektet në fondin e pagave, pasi për punonjësit e institucioneve buxhetore efektet janë llogaritur në vendimet e pagave për sektorët e veçantë. Projektvendimi ka efekte financiare për programin e pagesës së personave me aftësi të kufizuar, pasi në vendimet e Këshillit të Ministrave në të cilat është caktuar masa e pagesës së paaftësisë, është përcaktuar që kjo pagesë të rritet sa rritja e pagës minimale në shkallë vendi. Efekti financiar për rritjen e pagës së të paaftëve, të verbërve, paraplegjikëve e tetraplegjikëve dhe kujdestarëve të tyre llogaritet në shumën 322 milionë lekë për vitin 2009. Sipas VKM-së, çdo punonjës në sektorin privat duhet të kryejë mesatarisht 174 orë punë në muaj.

15 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›