E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDK mbledh Këshillin Kombëtar

Tiranë (start)-Kryesia e Partisë Demokristiane nën drejtimin e kryetarit Anton Gurakuqi, ka vendosur që më 15 Nëntor të mbledhë Këshillin Kombëtar të kësaj partie, të cilit do t’i propozojë zhvillimin e Kongresit të zakonshëm të PDK-së, në respekt të statutit, për një periudhë kohore brenda 2 muajve.

Kryesia e PDK, gjithashtu vendosi vazhdimin e Konferencave në të gjitha degët, në kuadrin e riorganizimit të partisë, në bazë të kalendarit të datave të miratuara. Riorganizimi i partisë do të bëhet në përputhje me sistemin e ri zgjedhor dhe do të synojë përgatitjen e strukturave për dyfishimin e rezultatit zgjedhor të vitit 2005.

Kryesia duke theksuar idenë e bashkimit të gjithë demokristianëve, me kontribute dhe vlera në vite, vendosi të ftojë deputetët Nikollë Lesi, ish-kryetari i PDK-së dhe Pashko Ujka, ish-kryetari i Grupit parlamentar të PDK-së, për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar.

Kryesia e PDK vendosi gjithashtu që PDK të bashkëpunojë ngushtësisht me Partinë Demokratike për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke ruajtur identitetin e saj.

Kryesia e PDK shprehet qartë se në zgjedhjet e 2009-ës, kjo forcë politike do të ketë si aleate kryesore Partinë Demokratike dhe të gjitha partitë e koalicionit të djathtë, duke qenë pjesë e rëndësishme e jetës politike në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›