E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS thotë se kryeministri nuk iu përgjigj pyetjeve të mocionit kundër tij

Valentina Leskaj

Leskaj tha se kryeministrit i është kërkuar dorëheqja prej saj dje në Kuvend duke theksuar se e përsërit edhe sot këtë kërkesë, por ajo vjen në kundërshtim me pohimin e kryetarit të PS Edi Rama që thotë se zgjedhjet i presin vetëm në verën e vitit 2009

Tiranë, 4 nëntor 14:22 NOA – Kryetarja e Grupit të deputeteve të Partisë Socialiste (PS), Valentina Leskaj, tha sot se Kryeministri nuk iu përgjigj opozitës në Kuvend, pasi “ai është i kompleksuar për çështjen Fazlliç”.

Leskaj tha se kryeministrit i është kërkuar dorëheqja prej saj dje në Kuvend duke theksuar se e përsërit edhe sot këtë kërkesë, por ajo vjen në kundërshtim me pohimin e kryetarit të PS Edi Rama që thotë se zgjedhjet i presin vetëm në verën e vitit 2009.

“Dje Grupi i Partisë Socialiste thirri në një mocion me debat me Kryeministrin nisur nga një çështje që ka të bëjë me lidhjet e dyshimta  të tij dhe Qeverisë, që ai drejton me një përfaqësues të botës së interesave të paligjshme”, - shpjegoi Leskaj në një konferencë për gazetarë që përfundoi para pak minutash, në selinë e PS.

“E thirrëm, - vijoi Leskaj, - me besimin tonë se edhe në Shqipëri duhet të funksionojë sistemi i kontrollit dhe balancave, sepse në një shtet demokratik duhet të funksionojë llogaridhënia e qeverisë në parlament”.

Leskaj vlerësoi se Kryeministri është i kompleksuar nga çështja Fazlliç ndaj nuk ju përgjigj pyetjeve duke iu fshehur të vërtetave që tashmë janë bërë domein publik.  

“Ai nuk u përgjigj se cili është statusi i këtij njeriu,  që siguria kombëtare është në duart e tij, përsa kohë që qeveritarë dhe funksionarë të lartë të sigurisë kombëtare  raportojnë përpara tij edhe pse dihej që kohë më parë BG&R që e solli këtu kishte lobuar kundër çështjes së Kosovës,

Ç’përfaqëson ky njeri që ka në dorë shtetin, që duket hapur se i krijohen lehtësira e merret edhe në mbrojtje duke bërë presion mbi prokurorinë”, theksoi Leskaj.

Ajo pohoi se “natyrisht, ne nuk kishim ndonjë iluzion që Kryeministri do bënte dje, atë që nuk e ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij politike, të paktën transparencën, se pendesa është një fjalë e madhe për të”.

Sipas Leskajt, me fjalimin e tij, Kryeministri bëri dje një përpjekje të dëshpëruar për të spostuar vëmendjen nga skandali Fazlliç, që e bën direkt përgjegjës dhe kjo është kapje e shtetit.

“Në fakt, kjo është mënyra e tij e të qeverisurit që ngatërron shtetin me marrëdhëniet personale, ato të besës, një mënyrë tipike tribale në drejtimin e punëve të shtetit”, - vijoi Leskaj.

Këtu ajo vlerësoi se “ka kohë që vendi nuk po qeveriset më” duke shtuar se “ne kemi kërkuar dje dhe do të vazhdojmë të kërkojmë largimin e Berishës nga qeverisja”.

a.l/NOA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›