Basha: “Keni mbetur në të shkuarën e “ishullit” të Blushit
Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, reagoi dje në Kuvend, duke deklaruar se debati i shkaktuar nga opozita “nuk ka të bëjë me Fazlliçin, por me mungesën e identitetit të PS-së”. Ai tha më tej se opozita ka mbetur peng e së shkuarës së saj. “Debati i sotëm është mes të ardhmes dhe të shkuarës së mbetur në “ishullin” e Blushit”, - tha Basha. Sipas tij, “rruga e identitetit marksist është e vështirë për t’u ndryshuar”. Më tej, ministri i Jashtëm u shpreh se reformat e qeverisë nuk kanë të krahasuar me një qeveri paraardhëse. Basha iu përgjigj edhe akuzave të lëshuara ndaj tij dhe familjarëve. “Prokurori në bashkëpunim me drejtësinë kanë fjalën e fundit në lidhje me mua, për sa u përket të gjitha akuzave. Por unë nuk kam zakon që të lëshoj emrin e gruas për ta futur në tendera. Debati i sotëm është mes të ardhmes dhe së shkuarjes”, - deklaroi Basha, i cili lëshoi akuza të tjera ndaj kryetarit të opozitës, Edi Rama, të cilin e etiketoi si një zyrtar që ka dhënë ryshfete për të blerë media.