PDK vendos për qeverinë
Deklarata e raportueses së Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek, se në Kosovë duhet të mbahen zgjedhja të reja deri në fund të këtij viti, ka marr përgjigje të menjëhershme nga zyrtarë të PDK-së.
Nënkryetari Enver Hoxhaj, ka thënë se për çështjen e zgjedhjeve vendos vullneti politik i qytetarëve por edhe konsensusi i partive politike, dhe në këtë rast sipas tij zgjedhjet janë kryekëput çështje e brendshme e Kosovës. Hoxhaj gjatë një interviste në emisionin “Interaktiv”, në KTV, mes tjerash ka thënë se Kosova nuk ka luks qe të organizoj çdo 3 - 4 muaj zgjedhje pasi qytetarët kërkojnë që të zgjidhen problemet e tyre.
Hoxhaj i është përgjigjur edhe kërkesës së LDK-së për zgjedhje. Ai më këtë rast tha se proces të ri po kërkojnë partitë humbës,e ndërsa ato duhet t’i mbledhin kryesit e partive dhe t’u shpjegojnë arsyet e humbjes. Sipas tij, me mos pranim të procesit nga ana e partive, po importohet mentalitet politik nga Shqipëria, që siç tha Hoxhaj, është shumë i dëmshëm për zhvillimet e ardhshme.
Ai ka folur edhe për çështjen e koalicionit dhe qeverinë e ardhshme.
Hoxhaj tha se PDK do të vendos për formatin e qeverisë, derisa pranoi se kontaktet e para për këtë çështje kanë filluar, ndërsa konfirmoi se biseda për koalicion po zhvillohen edhe me AAK-në. Hoxhaj tha se PDK është e hapur për të gjithë, përveç “Vetëvendosjes”. Nënkryetari i PDK-së, po ashtu bëri të ditur se çështja e koalicionit do të qartësohet shumë shpejtë pas rivotimit të 23 janarit në Mitrovicë.