E Shtunë, 31 Tetor 2026

Beogradi targaserbe për 7 komunanë Kosovë

BEOGRAD- Qeveria serbe hedh në qarkullim targa me kodin ndërkombëtar të Serbisë (SRB) edhe për shtatë rajonet e Kosovës.

E përditshmja Zëri shkruan se këto targa kanë filluar të duken edhe nëpër rrugët e Kosovës sidomos në veriun e Mitrovicës dhe në komunat e banuara me shumicë serbe, sikurse në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok, ku jeta zhvillohet sipas ritmit që përcakton Serbia dhe strukturat paralele të sigurisë.
Nga ana e tyre autoritetet e Prishtinës zotohen se nuk do të tolerojnë që në brendi të vendit të përdoren targa të lëshuara nga Serbia.

Ministri në largim i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi është cituar nga gazeta të ketë thënë se shumë shpejt do të jepet urdhri që targat e reja të lëshuara nga Beogradi edhe për Kosovën të mos tolerohen.
“Nuk do të tolerojmë që në brendi të Kosovës nga qytetarët serbë të përdoren targa që ka nxjerrë Serbia, ndërkaq në pjesën veriore të Mitrovicës është më problematike që të përdoren mekanizmat e shtetit të Kosovës”, ka thënë Rexhepi.
Nga ana e tij Ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanovic thotë se derisa Serbia nuk njeh shtetin e Kosovës, atëherë është e natyrshme që të kujdeset edhe për lëshimin e targave edhe për Kosovën.

Media në Prishtinë shkruan se këto tabela nuk kanë pësuar ndryshim të madh nga ato të periudhës së paraluftës. Kështu rajoni i Mitrovicës do ta ketë kodin KM që do të jetë i shënuar nën simbolin e Republikës së Serbisë, ndërkaq rajoni i Prishtinës PR, i Ferizajt UR, etj.

Gjithashtu, Beogradi ka rritur edhe numrin e kodeve komunale nga 41 sa kishte dhe, duke i përfshirë edhe komunat e Kosovës, tashmë i ka 59 kode komunale, njofton Zëri.

Cështja ka ngjallur dhe reagimin e ashpër të organizatave jo qeveritare në Kosovë. Avni Zogiani nga organizata “Çohu” ka adresuar kritika në drejtim të Qeverisë së Kosovës, që, sipas tij, jo vetëm që ka dështuar në aplikimin e tabelave të Kosovës nëpër ato lokalitete ku jetojnë serbët me shumicë, por thjesht nuk është angazhuar që të merret me këtë problematikë.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›