Vushtrri, të maskuar plaçkisin farmacistin
Pronari i një barnatoreje në Vushtrri është plaçkitur, të martën rreth mesnate, nga tre persona të maskuar.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Vëllezërit Frashëri” në Vushtrri, derisa viktima po kthehej në shtëpi pasi kishte mbyllur lokalin e tij, ka njoftuar policia. Tre persona të maskuar, duke e kërcënuar me armë, i kanë kërkuar viktimës t’u dorëzonte paratë e qarkullimit ditor.
Pasi viktima kishte refuzuar t’i bindej urdhrave të të dyshuarve, tre personat e maskuar e kanë sulmuar fizikisht. Më pas, njëri nga të dyshuarit ka goditur me shkurtore të revoles viktimën në kokë.
Sipas viktimës, arma e përfshirë në këtë rast, dyshohej të ishte një armë e plastikës (lodër).
Pas përleshjes së tre të dyshuarve me viktimën, ata kanë arritur që me forcë të grabisin portofolin me dokumentet personale të viktimës, ndërsa kanë ikur në drejtim të panjohur.
Viktima, një 30-vjeçar, është dërguar në emergjencën e spitalit të qytetit në Vushtrri, ndërsa sipas raportit mjekësor lëndimet i përkasin natyrës së lehtë.
Sipas zëdhënësit të policisë për rajonin e Mitrovicës, Besim Hoti, njësitë policore në vendngjarje kanë gjetur disa kartëmonedha, të cilat besohet t’i kenë rënë në tokë viktimës, gjatë përleshjes me të dyshuarit.
“Rasti është kualifikuar si vepër penale ‘Grabitje’ e paraparë, ndërsa sektori i hetimeve është duke u marrë me rastin e raportuar”, ka thënë Hoti.