PD:Ligji i dosjeve nuk cënon gjyqësorin

Pas akuzave të socialistsëve, Partia Demokratike ka reaguar në mbrojtje të ligjit për hapjen e dosjeve. Sipas zëdhënësit të grupit parlamentar të PD-së Aldo Bumçi, ligji nuk cënon pavarësinë e gjyqësorit. Bumçi thekson se qëllimi i Partisë Demokratike është largimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve që kanë qënë vegla të regjimit komunist. Zëdhënësi i grupit parlamentar të PD-së, Aldo Bumçi, theksoi se "projektligji që do të votohet të hënën në Kuvend është një variant i ligjit çek, një nga më të mirët në fushën e lustracionit. Ky është një proces jetik në vendosjen e standardeve demokratike. Projekti nuk është një akt hakmarrje, por një akt respekti ndaj të gjithë viktimave të regjimit komunist, që u ekzekutuan, torturuan dhe vdiqën për të drejta njerëzore. Po ashtu, ai është një detyrim madhor dhe historik ndaj kombit shqiptar".Duke reaguar ndaj deklaratave të sotme të opozitës, e cila u shpreh kundër këtij drafti, të miratuar pak ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, pa votat e saj, Bumçi tha se "Edi Rama nuk mund të votojë pro këtij projektligji, sepse ai është nip i një ish-anëtari të Byrosë Politike, i cili ka persekutuar me dhjetra inxhinierë dhe intelektualë të shkolluar në Perëndim. Ndaj dhe Edi Rama nuk mund ta votojë këtë projektligj, pasi është njësoj sikur të votojë kundër vetvetes"