E Shtunë, 31 Tetor 2026

Brenda dhjetorit Bundestagu gjerman ratifikon NATO-n

Bundestagu gjerman pritet që së shpejti të ratifikojë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ky konfirmim iu dha të premten kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, nga deputeti i Bundestagut gjerman, Krisfof Uaitz. Deputeti Uaitz, i ndodhur për herë të parë në vendin tonë, shprehu përshtypjet e tij mbi realitetin e prekshëm të transformimeve në Shqipëri. Pasi vuri në dukje marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, kryetarja Topalli përmendi dhe disa arritje të viteve të fundit, si miratimi i një sërë ligjesh të rëndësishme, vendosja e taksave më të ulëta në Evropë, rritja ekonomike prej 6%, inflacioni në masën rreth 2.5% etj. "Jam i impresionuar nga rritja ekonomike e qëndrueshme me shifra që do të gëzonin edhe ekonominë gjermane. Ne punojmë shumë për të arritur këto shifra që ju përmendët”, - tha z. Uaitz. Kryeparlamentarja vlerësoi mbështetjen gjermane për Shqipërinë në këto 17 vjet në fushën ekonomike dhe ushtarake. "Ratifikimi i MSA-së nga Bundestagu gjerman ishte një tjetër konfirmim i kësaj mbështetjeje dhe po ashtu ndihem mirë që së shpejti Bundestagu do të ratifikojë edhe Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë në NATO", - tha znj. Topalli. Në takim u diskutua edhe mbi bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, ku deputeti Uaitz tha se Shqipëria ka potenciale të mëdha minerare, bujqësore e turistike. "Kam ndjekur mesazhet në CNN dhe më vjen shumë mirë që në Bursën e turizmit në Berlin, Shqipëria ka një përfaqësi më vete", - u shpreh ai. Në prill të vitit të ardhshëm, një grup sipërmarrësish gjermanë do të vijnë në Shqipëri për të parë mundësitë dhe fushat me interes për investime. Ky grup sipërmarrësish do të pasojë një tjetër grup që erdhi këtë vit në Shqipëri me përfaqësues të biznesit të industrisë tekstile.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›