Rrjeti i komunikimeve elektronike me ofertë interkonjeksioni
Çdo sipërmarrës i rrjeteve të komunikimeve elektronike publike duhet që përkundrejt kërkesës, t’i japë një ofertë interkonjeksioni sipërmarrësve të tjerë të rrjeteve të komunikimeve elektronike publike. Në projektligjin për komunikimet elektronike, të hartuar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, dhënia e ofertës së interkonjeksionit bëhet me qëllim sigurimin e komunikimit të përdoruesve, ofrimin e shërbimeve të komunikimeve elektronike dhe bashkëveprimin e shërbimeve në të gjithë komunitetin. Sipas projektligjit, të gjithë palët e interesuara do të përpiqen të realizojnë objektivin për të mundësuar dhe përmirësuar komunikimin ndërmjet përdoruesve të rrjeteve të komunikimeve elektronike publike. Projektligji parashikon që sipërmarrësit duhet ta përdorin informacionin e përfituar nga operatorët e tjerë në procesin e negociatave për interkonjeksionin vetëm për atë qëllim për të cilin janë dhënë këto të dhëna. Sipërmarrësit duhet të respektojnë gjatë gjithë kohës konfidencialitetin e informacionit të transmetuar dhe nuk do t’ia kalojnë atë ndonjë pale tjetër, dhe në veçanti departamenteve, filialeve ose partnerëve të biznesit, për të cilët ky informacion mund të sjellë një avantazh në konkurrencë, përjashtuar rastet kur është përcaktuar ndryshe nëpërmjet një marrëveshje midis operatorëve. Ndërsa ofertat reference të interkonjeksionit dhe marrëveshjet e interkonjeksionit, duhet të paraqiten në AKE.
11 Shkurt 2008