PDS: “Pavarësia e Kosovës zhvillon rajonin”
Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së Partisë Demokracia Sociale, në epiqendër të diskutimeve ka qenë edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës. Kryesia e PDS-së ka përshëndetur pavarësinë e Kosovës, duke e cilësuar atë një arritje madhore në historinë e popullit të saj e të kombit shqiptar. PDS shprehet optimiste se ky akt hap perspektiva të reja e shumë të rëndësishme për zhvillimin demokratik, multietnik, ekonomik, social të këtij shteti të ri si dhe për integrimin e tij në strukturat euroatlantike. Kryesia e Partisë Demokracia Sociale konstatoi se pavarësia e Kosovës do të kontribuojë në forcimin e bashkëjetesës dhe të marrëdhënieve miqësore e të bashkëpunimit midis popujve në rajon dhe të stabilitetit, paqes e sigurisë dhe do të çojë në dekurajimin e forcave të vjetra dhe ekstreme nacionaliste, të cilat janë përgjegjëse veçanërisht në Serbi për luftërat, krizat, dramat, vuajtjet e gjenocidin e ushtruar ndaj popujve të tjerë, e sidomos kundër shqiptarëve”, - thuhet në deklaratën për shtyp të PDS-së.
23 Shkurt 2008