E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli: ”Kosova tashmë e pavarur, të shohim përpara”

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, zhvilloi ditën e djeshme një takim me një delegacion të përbërë prej gjashtë kongresmenësh amerikanë që bëjnë pjesë në delegacionin e Dhomës së Përfaqësuesve amerikanë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, John Tanner, Ben Chandler, Carolyn McCarthy, Jeff Miller, Dennis Moore dhe Mike Ross. Kjo vizitë e tyre në Shqipëri zhvillohet në kuadër të një vizite që po kryejnë në vendet e Kartës së Adriatikut, Kroaci, Maqedoni, Shqipëri, për të parë ecurinë e këtyre vendeve drejt anëtarësimit të tyre në NATO. "Në këtë moment shumë zhvillime të rëndësishme po ndodhin në rajon, siç ishte momenti historik i shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Me Kosovën, Serbinë, Maqedoninë, Malin e zi e të gjithë rajonin ne duhet të shohim përpara drejt integrimit euro-atlantik. Shqiptarët kudo në botë i janë mirënjohës vendit tuaj dhe shohin te Shtetet e Bashkuara të Amerikës avokatin e pavarësisë së Kosovës, avokatin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, avokatin e lirisë dhe demokracisë në rajon e kudo në botë”, - tha Topalli.

23 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›