PS-LSI, polemika per ndarjen dhe reformen zgjedhore
LSI dhe Partia Socialiste kanë vijuar edhe dje debatin për mosmarrëveshjet për reformën zgjedhore dhe ndërprerjen e bashkëpunimit mes tyre. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, tha se është në të mirë të LSI-së që t’i rikthehet politikës së re. “Dëshira jonë e madhe është që lidershipi i LSI-së të vërë interesat e shqiptarëve, e njerëzve, veçanërisht njerëzve në nevojë, që vuajnë sot në Shqipëri, mbi interesat e karriges së kryeministrit. Kjo është themelore për të gjithë ne, pa përjashtim, dhe për këtë arsye ne do të preferonim që sa më parë edhe lidershipi i LSI-së të bëhej pjesë e politikës së re dhe të kthehej në frontin e madh dhe të gjerë të politikës së re në këtë vend, e cila në thelb të saj ka interesat e shqiptarëve më shumë sesa interesat karrigeve në një pushtet të nesërm, i cili, me sa shikoj, është larg dhe një vit e gjysmë”. Ndërkohë, sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili, tha se koalicioni “E Majta për Integrim” do të garantojë mbrojtjen e votës së lirë të shqiptarëve, e cila rrezikon të cenohet si rezultat i marrëveshjeve midis dy partive të mëdha, PS e PD. “LSI-ja përshëndet qëndrimin e të gjitha forcave politike që janë shprehur në mbështetje të qëndrimit tonë parimor, në veçanti Partitë Demokracia Sociale dhe Aleanca Demokratike dhe garantojmë votuesit shqiptarë se do të vazhdojmë të ndërgjegjësojmë të gjithë faktorët e tjerë politikë për t’u bërë barrikadë ndaj tentativave djallëzore dhe të fshehta të politikës së vjetër të lidershipit PD-PS, që në 17 vjet kanë prodhuar zgjedhje të kontestuara dhe kosto të mëdha në kurriz të integrimit euro-atlantik të Shqipërisë. LSI-ja deklaron se lëvizja jonë parimore për votën e lirë s’ka asnjë lidhje me qëllimet e ngushta të Fatos Nanos, i cili mban po aq përgjegjësi sa lidershipi aktual i PS-së për situatën konfliktuale brenda së majtës. I bëjmë thirrje lidershipit të PS-së të heq dorë nga ortakëritë e pandershme me Berishën, të largohet nga interesat personale dhe të vendosë mbi çdo gjë interesat e vendit”, - tha Vasili.
25 Shkurt 2008