Leskaj: Dyshja Berisha-Topalli të tërhiqen nga ligji i dosjeve
Numri dy i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj i ka bërë thirrje dje dyshes Berisha-Topalli të tërhiqen nga ligji i dosjeve. Në seancën e ardhshme plenare mazhoranca do të votojë ngritjen e komisionit të verifikimit të figurave të zyrtarëve të lartë që shënon dhe vënien në zbatimin të ligjit të lustracionit, i cili është kundërshtuar nga të gjithë ndërkombëtarët.
Sipas Leskaj, Berisha-Topalli duhet të dëgjojnë kritikat dhe kërkesat e partnerëve ndërkombëtarë se Shqipëria nuk mund të hyjë në familjen euroatlantike me mendësitë enveriste të dyshes Berisha Topalli. Të respektojë Gjykatën Kushtetuese me atributet që i jep ligji, sepse nuk hyjmë dot në familjen euroatlantike duke u sjellë me të si në republikat e bananeve,- u shpreh Leskaj. Ajo tha se Berisha-Topalli duhet të reflektojnë ndaj opozitës dhe se PS është gati të japë një variant kushtetues dhe europian që ka në themel parimet dhe Kriteret e Këshillit të Europës e ta votojmë atë jo duke turpëruar po duke nderuar Shqipërinë. Leskaj theksoi se PS ka qenë dhe mbetet koherente në qëndrim, për një trajtim të së kaluarës sipas standardeve, jo sipas interesave përveçme apo ato të çastit. Këtë ligj, tha Leskaj po e bëjnë me konfliktet e krijuara me institucionet kushtetuese, e për këtë shkak edhe me partnerët ndërkombëtarë, të cilët natyrisht nuk mund të pranojnë që një vend aspirues për integrim të bëjë standarde të dyfishta. U bënë mbi dy muaj, pohoi Leskaj që komuniteti ndërkombëtar i përcjell në mënyrë të përsëritur qeverisë shqiptare, mesazhin për rishqyrtimin e ligjit të lustracionit duke e konsideruar atë si antikushtetues. Leskaj nënvizoi se presidenca e BE ka bërë të qartë se rrezikohet anëtarësimi i Shqipërisë në BE. Injorimi i qëllimtë nga ana e tandemit Berisha Topalli, të këtyre mesazheve, duke abuzuar me krimet e së kaluarës komuniste, me qëllimin e vetëm për të mbuluar mëkatet e sotme, kanë vënë në rrezik serioz hapat integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike,- u shpreh Leskaj. Ajo theksoi se Partia Socialiste e konsideron detyrë historike dhe mision kushtetues e kombëtar, të kërkojë ndalimin e metodave dhe mentaliteteve komuniste që rrezikojnë të ardhmen europiane të Shqipërisë. Mazhorancës se axhenda parlamentare është integrimi permes konsensusit të gjerë për problemet madhore të vendit dhe jo aktet si ky që na ndajnë nga integrimi duke e kthyer atë në një mision të pamundur,- përfundoi Leskaj.
Email This Klikime: 1
Email This Klikime: 1