E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDSH dënon aktet e dhunës dhe arrestimet në Preshevë

Shkup -Partia Demokratike Shqiptare nëpërmjet zëdhënësit të saj, Adriatik Imeri reagoi ndaj dhunës dhe tendencave për spastrim etnik në Preshevë, ku u arrestuan ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Pamjet që i pamë në Preshevë, na përkujtojnë pamjet e disa ditëve më parë në vendbanimet shqiptare në Shkup dhe Kumanovë, ku u arrestuan dhe u dhunuan ish-pjesëtarë të UÇK-së dhe familjet e tyre. Ne dënojmë fuqimisht këto akte që kanë për synim tensionimin e rajonit”, theksoi për agjencinë e lajmeve INA, zëdhënësi Adriatik Imeri.

PDSH e vlerëson tejet të pamoralshëm reagimin e BDI-së për dhunën policore në Preshevë, derisa kjo parti heshtë për dhunën policore në Shkup dhe Kumanovë.

“Na duket e pamoralshme që BDI dënon dhunën në Preshevë, ndërsa aspak nuk prononcohet për dhunën në vendbanimet shqiptare në Maqedoni. Fajin për këto bastisje e ka politika, e me këtë rast kur e kemi fjalën për në Maqedoni, BDI nuk mund t`i ikë përgjegjësisë për ekspeditat policore në Çair dhe Kumanovë. Kjo dhunë i nxiti edhe forcat e tjera në rajon, sidomos në Preshevë që të ndërhyjnë në vendbanimet shqiptare”, theksoi Imeri. Ina

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›