E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDSH mbështet protestat e studentëve të USHT-së

Shkup -Partia Demokratik Shqiptare të hënën në një konferënc për shtyp bëri të ditur se do ta përkrahë protestën e studentëve të USHT-së kundër shkurtimit të buxhetit të këtij institucioni, e paralajmëruar të mbahet të enjten në Tetovë. “Duke pasur parasysh apelin dramatik të Unionit të Studentëve të USHT-së, Rinia Demokratike Shqiptare pranë Partisë Demokratike Shqiptare mbështet deri në fund Unionin e Studentëve të USHT-së që më 21 Maj ( e enjte) në fillim në ora 13:00 në Sheshin e Tetovës, nën moton “Të gjithë në mbrojtje të USHT-së” të protestojnë kundër tentimit për shkatërrim të USHT-së”, deklaroi Krenar Lloga - Kryetar i Forumit Rinor të PDSH-së.

Ai theksoi se politika e gabuar e qeverisë aktuale VMRO-BDI, jo vetëm që mbyll perspektivën e qytetarëve të këtij shteti duke i bllokuar proceset për integrimin në NATO dhe BE por tani fillon edhe me goditje në planin e brendshëm, duke sulmuar tempujt e diturisë, e në këtë rast Universitetin Shtetëror të Tetovës.

“Për ne është e palogjikshme që qeveria, VMRO-BDI, ndajnë miliona euro për përmendore në sheshin e Shkupit, për heronj diskutabil, e në anën tjetër zvogëlojnë buxhetin e një universiteti i cili vetëm ne shqiptarët e dimë se si ka arritur deri këtu. Universiteti Shtetëror i Tetovës të nderuar pushtetarë të VMRO dhe BDI është bërë me shumë mund, me shumë sakrificë dhe me shumë gjak”, theksoi Lloga.

Nga PDSH theksojnë se Qeveria e Maqedonisë duke kujtuar të kaluarën , shkatërron të tashmen dhe të ardhmen. “Rinia Demokratike Shqiptare i përkrah studentët, profesorët dhe gjithë qytetarët të cilët të enjten më 21 Maj në mënyrë demokratike do të protestojnë ndaj këtij diskriminimi që i bëhet ardhmërisë së shqiptareve, Nëna e baballarë,motra e vëllezër ta përkrahim në mënyrë masovike këtë protestë”, theksoi në fund ai. (INA)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›