PDU dhe “Vetëvendosja”, marrëveshje politike
Partia Drejtësi dhe Unitet dhe Lëvizja "Vetëvendosja" zyrtarizuan dje një bashkëpunim politik mes të dyja forcave duke theksuar zgjidhjen e çështjes kombëtare. Kreu i PDU-së Shpëtim Idrizi u takua me liderin e "Vetëvendosja", Albin Kurti, nga ku deklaroi se "kemi zyrtarizuar bashkëpunimin që forcat tona do të kenë në të ardhmen për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Ne duhet të vendosim theksin mbi integrimin në Bashkimin Europian, duke ruajtur profilin kombëtar shqiptar". Nga ana e tij, Kurti tha se çështja çame duhet të gjejë zgjidhje, sipas tij, jo vetëm në çështjen e pronave apo nënshtetësisë. "Kjo pasi, vetëvendosja është pasojë direkte e gjenocidit. Ndaj, gjenocidi duhet të dalë në pah që të dalë dhe e drejta e vetëvendosjes. Për ne është inkurajim i madh që dikush e thotë të vërtetën troç, siç bëni ju", tha Kurti. Kreu i PDU-së, Idrizi zhvilloi edhe takime të tjera në Kosovë, si me nënkryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi. Në këtë takim Idizi tha se nëse shtohen zërat për ndarje të Kosovës, "atëherë duhet të kemi një reagim mbarëkombëtar, pavarësisht shtetit dhe origjinës; e gjithë skena politike shqiptare, e gjithë shoqëria civile shqiptare dhe të gjithë shqiptarët në përgjithësi do të reagojnë në formën e duhur". Të dy palët folën edhe për ngritjen e një Ministrie të Diasporës.