E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ujku dhe bariu, bashkë s’bëhen dot

Nuk është për t’u habitur që termat e titullit të këtij artikulli janë huazuar nga përrallat e fëmijëve. Nuk është për t’u habitur, jo vetëm se Kryeministri ynë vazhdon të na tregojë përralla për zhvillimin e demokracisë dhe sidomos për rritjen ekonomike të vendit, por edhe për faktin që ky vend i izoluar dhe i fundit në rrugën drejt Europës na qenka i dënuar që ujkun ta ketë ende në krye, madje edhe në rolin e bariut.
Meqë gjatë madatit të parë qeverisës, maxhoranca parlamentare dhe Kryeministri i zgjedhur prej saj e dëftyen veten të dështuar në vizionet mbi përparimin e mundshëm dhe të shpejtë të vendit, siç ishin përbetuar, mendja ta donte që elektorati shqiptar t’u kishte rezervuar më pas atyre vendin periferik. Mirëpo, ujku nuk rri dot pa sulmuar, ai nuk tregon barkun e fryrë nga grabitjet, por dhëmbët e mprehtë që s’rrinë pa kafshuar ku të munden dhe si të munden.
Kështu, pasi ndodhën dhe u verifikuan disa skandale, jehona e të cilave edhe sot vazhdon të kapërxejë kufijtë e Shqipërisë, qeverisja e mëparshme mbeti ende e panginjur për vete të vet dhe s’u tund nga istikami. Pra, pasi fillimisht shpërdoroi apo rrëmbeu rreth 230 miljonë euro gjatë ngritjes së pastudiuar dhe me furi hungëritëse të asaj që ajo e quan “korridori i kombit”, pasi në afërsi të Tiranës toka u tund fort dhe flakët bubullitëse përfshinë dhjetra jetë etj, etj, ujku iu drejtua kutive të votimit, duke gllabëruar votat e qytetarëve.
Kaq i duhej dhe, për të mbledhur diçka që të mos ndiqej menjëherë, iu turr vathës elektorale nën ethet e tij, duke përmbytur edhe tokat, duke fundosur edhe bagëtitë, edhe shtëpitë. Megjithëse, kësaj here ndërroi qime dhe mbi lëkurë shtiu gunën e bariut, atë gunë që mbase do ta linte të ulej këmbëkryq mbi kutitë, prej nga do të mund të kontrollonte gjithçka që ia donin këmbët dhe dhëmbët.
***
Sidoqoftë, siç tregojnë edhe përrallat, ujku dhe bariu, bashkë s’bëhen dot. Prandaj, ai që kërkon t’i luajë njëherazi të dyja këto role, jep e merr dhe pastaj kërrabën e vringëllin gjetkë. Domethënë, tani kur borxhet e marra janë fryrë shumë dhe kërcënueshëm të tjera kërkohet të merren, Kryeministri akuzon opozitën, që sipas tij po varfëron popullin e kryeqytetit. Me sa duket, kjo ka qenë e vetmja mënyrë që ai gjeti për t’iu kundërpërgjigjur deklaratave të kundërshtarëve politikë të tij, që e akuzojnë rreth përgatitjeve për t’u marrë në qershor një borxh i ri 300 miljonë eurosh, nga bankat tregtare brenda vendit dhe me terma të frikshme.
“Se problemi madhor ekonomik është e vërtetë që ekziston në qytetin e Tiranës, ku kapitalistëve të vegjël, mikroborgjezëve, Edi Rama u ka rezervuar barrën më të rëndë fiskale bashkiake” – u shpreh ditët e fundit Kryeministri ynë në mbledhjen e grupit të PD – së. Dhe, që të bëjë shpirtbutin, të merakosurin për atë që e e mendon si vathën e tij, i kërkon Ministrit të Financave që të bllokohen të gjitha të ardhurat e Bashkisë së Tiranës në Thesar dhe të studiohen rrugët, për t’ua kthyer tepricat atyre që rivali politik i tij ua paska marrë mbi ligjin.
Në të vërtetë, këto deklarata, këto përpjekje për të fshehur gjurmët e veta nën rrënimin ekonomik e financiar të vendit janë shprehje e dëshpërimit që e ka kapluar Kryeministrit dhe klikën e tij, që ashtu siç e kanë zakonin, vazhdojnë ta kenë synimin për t’iu shmangur përgjegjësive, për t’i spostuar këto përtej gardhit. Dhe, megjithëkëtë, bëjnë sikur i qajnë hallin popullit, tek deklarojnë gjithashtu që më 1 Korrik do të rrisin pagat e buxhetorëve dhe pensionet e të moshuarve.
Pa folur që këto rritje të paefektshme në përmirësimin e ekonomisë dhe me objektiva të dyshimtë janë të pandjeshme për buxhetet familjare edhe për faktin se nuk u përgjigjen inflacionit dhe vështirësive gjithnjë e më të ndjeshme të jetesës apo faktorëve të tjera që kanë shpënë veç të tjerash rreth 100 mijë familje në varfërim pothuajse total, nuk mund të lihet pa përmendur që të tilla rritje do të bëhen jo nga mbledhja e të ardhurave, por pikërisht nga borxhet e marrura, së fundmi prej këtij borxhi të brendshëm 300 miljonësh, një pjesë e të cilit do të destinohet për të shlyer këstin tronditës të kredisë së tërhequr për hapjen e asaj rruge, më saktë, të atij shtegu, prej nga do t’ia mbathte në emër të kombit.
Dhe, kur ndodh e gjithë kjo? Muaj më muaj, për këdo që i ka sytë në ballë, duket qartë që ekonomia shqiptare gjendet në krizë të thellë. Edhe ky borxh i ri që i heq çdo shqiptari nga xhepat nga 100 euro të tjera, kërkohet në një kohë që Qeveria dështoi me eurobondet. Dështoi, edhe pasi në mënyrë urgjente dhe muzgore, gjysmë fshehtas, ndryshoi ligjin përkatës, duke legalizuar në Parlament vetëm me votat e maxhorancës rritjen e interesave në një operacion të tillë financiar, në përfitim të të tjerëve. Dështoi, aq sa shpejt edhe vet e kuptoi që asnjë shtet apo bankë e huaj tashmë nuk kishte garanci te një realitet i zymtë dhe aspak premtues për të ardhmen e ekonomisë shqiptare.
Sidoqoftë, asgjë nuk e pengon Kryeministrin tonë, as stitistikat e huasë të Ministrisë së Financave, sipas të cilave borxhi i jashtëm afatgjatë i Shqipërisë në fund të vitit të kaluar llogaritej në afro 2 miljardë euro, as fakti që gjatë tremujorit të parë të 2010 – s detyrimet në këtë drejtim shënuan rritje në masën 4.2 për qind, që t’u fryjë borive shurdhese si atyre vuvuzelave afrikane, se valët e krizës së përbotshme ekonomike u thërrmuakërkan copa – copa në brigjet e Adriatikut juglindor dhe të Jonit verior, se ky yni na qenka i vetmi në Europë që u paraqitkërka me performancë më të mirë ekonomike...Dhe, vuvu – të vazhdojnë.
***
Por, tanimë, s’mund të fshihet që politika financiare e Qeverisë sonë brenda dhe jashtë vendit orientohet gjithnjë e më shumë në marrjen e huave, për të zgjidhur mjaft probleme, për sheshimin e të cilave sytë do të duhej të mbaheshin te sigurimi i fondeve që burojnë më së shumti nga të ardhurat fiskale. Mungesat e theksuara në plotësimin e këtyre fondeve nga takasat e tatimet e planifikuara, detyrimisht i bëjnë qeveritarët që të shtrijnë, që të zgjatin përherë e më tepër dorën në kërkim të borxheve. Sepse, sikur t’i hedhësh një sy mosrealizimit të të ardhurave buxhetore në kolonën e ‘të ardhurave tatimore’ gjatë pesë muajve të këtij viti, shumë shpejt e kupton që vetëm prej tyre i mungojnë arkës së shtetit rreth 12.5 miljardë lekë, që vetëm prej mosvjeljes së munguar të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar firasja llogaritet në afro 3 miljardë lekë, që vetëm nga Tatimi mbi të Ardhurat Personale defiçiti i krijuar është baras me 1.4 miljardë lekë etj, etj.
Në ekonominë e tregut, çdo qeveri sigurisht që është e lirë t’i bëjë vet llogaritë. Le të kujtojmë këtu shembullin e Kazakistanit që, ndonëse kishte borxhe edhe më të shumta se sa ato që mbart tani Greqia, Italia etj, brenda pak vitesh i shleu hesapet me FMN – në. Dhe, këtë e arriti kryesisht, duke shtuar prodhimtarinë në asetet e vendit, si: minierat e uraniumit, fushat naftëmbajtëse, plantacionet e drithërave etj, dhe veçanërisht, duke rritur ndjeshëm eksportet. Por, vende të tilla si ky yni, ku norma e interesit e paguar për borxhin publik është më e lartë sesa ajo e rritjes së ekonomisë, automatikisht futen në rrethe vicioze në të ardhmen afatmesme.
është ky shqetësim i madh, që i ka detyruar kohët e fundit përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar për t’i tërhequr vemendjen Kryeministrit tonë që të mos vijojë të ekspozojë të dhëna të rreme. Që të mos propagandojë falsitetin pikërisht në një kohë që të ardhurat në pjesën e parë të këtij viti nuk kanë shënuar rritje reale, dhe situata e paqëndrueshme nëpër tregjet ndërkombëtare ndikon mjaft për rritjen e kostos së huamarrjes, sidomos të fondeve të financimeve të huaja afatgjata, për të cilat tejkalimi nga planifikimi arrin në 63 për qind. Sikurse është arritur ky tejkalim edhe më frikshëm akoma, afro dyfish, nga masa e borxhit të brendshëm, duke sjellë në tërësi një defiçit buxhetor prej 54 për qind.
Ndonëse, shtetarët tanë kanë rritur shpenzimet për paga, gjatë kësaj pjese të parë të vitit, me 780 miljonë lekë (sigurisht, të reja), ose 4 për qind më tepër tej planifikimit, korrigjimi së shpejti në shifrat e buxhetit të shtetit nuk mund të konsiderohet kurrësesi thjesht një rialokim fondesh nga njëri sektor në tjetrin, por një shprehje konkrete e vargut të njohur qesëndisës “kërcen prifti nga belaja!”.
Dhe, ja tani: pas deklaratës qeveritare për marrjen e një borxhi të ri, Bonot njëvjeçare të Thesarit zënë të shtrenjtohen përsëri, nën ndikimin e disa faktorëve negativë. Njëkohësisht, krahas kësaj prirjeje, kredimarrësit shqiptarë në lekë do të kenë fatin e keq që këtej e tutje të detyrohen për të paguar këste edhe më të shtrenjta. çfarë gjëje të mirë mund të rezervojë për ta e ardhmja?...
Nejse, edhe këto shifra që u përmendën dhe u renditën këtu në mënyrë të pjesëshme, duke përdorur me një farë teprie ndajfoljen ‘vetëm’, mund të jenë bërë të besdisshme për lexuesin. Por, sidoqoftë, ai mund ta vlerësojë, qoftë edhe nëpërmjet tyre, se sa e domosdoshme dhe serioze është që të kërkohet me këmbëngulje për t’u bërë transparenca komplekse e veprimtarisë së pushtetit të dyshuar jo vetëm për papaftësi dhe korrupsion, por edhe për ilegjitimitetin, çka i ka shkaktuar të gjitha sëbashku mbrojtja me besnikëri dhe fanatizëm e ca interesave të ngushta e të fëlliqura. Të ngushta e të fëlliqura, siç janë zakonisht gjurmët e ujkut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›