E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDU dhe "Vetëvendosje!" së bashku për çështjen kombëtare

Marrëveshja në fjalë është nënshkruar në Prishtinë nga dy liderët e këtyre partive, Shpëtim Idrizi nga PDU-ja dhe Albin Kurti nga “Vetëvendosje!”.

“Unë ndihmën i nderuar që jam i pari që i uroj hyrjen në politikë Albin Kurtit. Sot, ne kemi zyrtarizuar bashkëpunimin që forcat tona do të kenë në të ardhmen për zgjidhjen e çështjes kombëtare. Ne duhet të vendosim theksin mbi integrimin në Bashkimin Evropian, duke ruajtur profilin kombëtar shqiptar”, tha z. Idrizi.

Nga ana e tij, Kurti, deklaroi se shumë shpejt do ta kthejë këtë vizitë në Tiranë. Ai tha se nuk ka shqiptar të Kosovës që të mos dijë tashmë për çamërinë dhe çështjen çame, dhe kjo sipas tij, fal edhe “punës së palodhur të Partisë Drejtësi dhe Unitet”.

“Ne duhet të inkurajojmë bashkëpunim më të gjerë nga politikanë nga të dy anët, duhet që të kemi një harmonizim të çështjes kombëtare nga të gjitha forcat politike”. Kurti shpjegoi arsyet pse Vetëvendosja vendosi të hyjë në politikë dhe deklaroi se ka ardh’ çasti që të kemi standarde të njëjta për të gjithë.

“Nëse ne do të shohim minoritetet kombëtare kanë më shumë të drejta në Kosovë dhe Shqipëri, sesa shqiptarët, kudo që janë“ – tha Kurti – “ne duhet të kërkojmë që të drejtat që gëzon minoriteti serb në Kosovë t’I gëzojnë edhe shqitparët në Luginën e Preshevës dhe të drejtat që gëzon minoriteti grek në Shqipëri, t’I gëzojnë edhe shqiptarët në Greqi”. Kurti përgëzoi drejtuesit e Partisë Drejtësi dhe Unitet që flasin vazhdimisht për gjenocidin e kryer ndaj popullsisë çame, dhe nuk mbeten vetëm në çështjet e pronave apo të nënshtetësisë.

“Kjo pasi, vetëvendosja është pasojë direkte e gjenocidit. Ndaj, gjenocidi duhet të dalë në pah që të dalë dhe e drejta e vetëvendosjes. Për ne është inkurajim i madh që dikush e thotë të vërtetën troç siç bëni ju”. “PDU dhe Vetëvendosja do të jemi aleat direkt që nismat që marrim për çështjen kombëtare, pavarësisht se për çfarë flitet të kalojë kufijtë shtetëror dhe të prek çdo qelizë të kombit. Ka ardhur çasti që t’i themi gjërat pa komplekse, me një ndërgjegje morale kritike” tha Shpëtim Idrizi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›