E Diel, 1 Nëntor 2026

PE Pack Partite te lene sherret dhe te bashkepunojne

Nëse kërkesa e Tiranës zyrtare refuzohet edhe këtë vit, kjo nuk do të thotë se Bashkimi Europian e humb interesin e tij për Shqipërinë dhe qytetarët e saj. Deputetja e Parlamentit Europian, Doris Pack në një intervistë kritikon paaftësinë e pilitikës shqiptarte për të kryer reformat e nevojshme. Zonja Pack thotë se  Shqipëria ka bërë progres dhe vendi i saj është në familjen europiane, por po humbet mjaft kohë me sherret politike. Disa orë para publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, Pack ka bërë thirrje për lëshime të dyanshme me qëllim që dy forcat politike të punojnë për të rimarrë ritmin e duhur në përmbushje të reformave demokratike.

 • Fushatë për integrimin, Sequi: Shqiptarët, të painformuar
 • Raporti i Brukselit: Shqipëria progres të limituar

“Askush nuk e di përgjigjen, përveç atyre që kanë bërë raportin. Por unë parashikoj, se edhe kësaj radhe kërkesa nuk do të pranohet. Çfarë humbim nga kjo? Humbim kohën. Populli shqiptar humbet kohën e tij. Po humbet shumë kohë me diskutime politike të padobishme, edhe në media. Edhe diskutimet mes partive politike nuk i kanë zgjidhur problemet. Në Shqipëri ka shumë probleme, si kudo tjetër. Por këto duhen zgjidhur dhe kjo bëhet nëse të gjitha forcat politike merren me këto probleme. Pavarësisht nga këto, ne nuk e humbim interesin për Shqipërinë, që ka bërë shumë progres. E theksoj këtë. Pra, Shqipëria duhet t'i bashkohet Serbisë, Maqedonisë, dhe Kroacisë. E them përsëri që debatet politike pa interes nuk na çojnë askund dhe askush nuk ka dobi prej tyre”, tha Pack.
 
Eurodeputetja ka kërkuar gjithashtu dhe lëshime nga ana e qeverisë, por edhe e opozitës në mënyrë që vendi të mos mbetët i ngrirë nga reformat.  

“Më në fund, duhet të fillojnë ose të vazhdojnë të bëhen ato që duhen bërë. Ka 12 kushte të formuluara nga Komisioni Europian. Këto duhen realizuar, duhen gjetur zgjidhjet e duhura për këto kushte. Por këto nuk mund të bëhen vetëm nga qeveria, nga shumica. Ato kanë nevojë që të bashkëpunojë edhe opozita. Janë shumë ligje që kanë nevojë për shumicë të kualifikuar, pra për votën e opozitës. Këtë kërkesë për bashkëpunim, opozitës ia kemi thënë jo vetëm ne, por edhe kolegët tanë socialistë të Parlamentit Europian. Unë kërkoj që edhe qeveria edhe parlamenti të hapin një dialog të vërtetë me opozitën për ato ligje të domosdoshme që kërkojnë edhe votën dhe bashkëpunimin e saj”, theksoi Pack.

Ditën e nesërme Bashkimi Europian pritet të publikojë progres raportin për Shqipërinë.

Gjovalin Kola/Jul Kasapi

  Azhornuar së fundi ( e mërkurë , 12 tetor 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›