E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndarjet fetare ne Egjipt dorehiqet ministri i financave

Përçarjet fetare në Egjipt, pas ngjarjeve të së dielës ku ndërhyrja e policisë në një marshim proteste të komunitetit kopt shkaktoi 25 të vdekur, kanë përfshirë edhe qeverinë e përkohshme të Kajros. Ministri i Financave Hazem el-Beblaui, i caktuar në detyrë nga Këshilli Ushtarak që drejton Egjiptin pas revolucionit të shkurtit, ka dhënë dorëheqjen.

Beblaui, që mbante edhe postin e zëvendëskryeministrit, u dorëhoq, sipas zyrtarëve dhe medias, për shkak të mënyrës sesi u përcoll nga autoritetet protesta e koptëve. Zyrtari i lartë i përket kësaj pakice fetare në Egjipt, vetëm 10 për qind në një popullsi 85 milionëshe, por që përbën një komunitet mjaft kompakt. Koptët ankohen nga drejtuesit ushtarakë se nuk i mbrojnë vendet e tyre të kultit dhe ata vetë nga islamistët radikalë.

Ndërkohë, këshilli drejtues ushtarak ka urdhëruar një hetim të shpejtë të dhunës ndaj protestuesve koptë, që nisi si një protestë ndaj shkatërrimit të një prej kishave të tyre, por që degjeneroi shpejt në përleshje me policinë. Të dhënat e para flasin se autoblindat e dërguara për të shpërndarë protestën kanë shtypur një numër të viktimave.

Agjencia shtetërore e lajmeve, Mena citon ish-ministrin Beblaui të ketë thënë se pavarësisht faktit se Qeveria mund të mos ketë përgjegjësi direkte, një pjesë e kësaj përgjegjësi rëndon mbi të. "Rrethanat aktuale janë shumë të vështira dhe kërkojnë një rugë të re dhe të dnryshme të menduari dhe të punuari”, tha Beblaui. Dorëheqja e tij vjen ndërsa anëtarët e komunitetit të krishterë nisën një agjërim treditor në shenjë zie për ata që humbën jetën në përleshjet me policinë.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›