E Shtunë, 31 Tetor 2026

PE: Presidenti me konsensus, reforma të përmbyllet

 Eurodeputeti i djathtë, Eduard Kukan, thotë se Presidenti i ri i vendit duhet të jetë një figurë që të mos sjellë probleme. Ai thotë se çdo zgjedhje në Shqipëri është e rëndësishme.

“Zgjedhjet për President janë ndryshe, sepse votimi bëhet në Parlament. Por edhe në këtë rast ne presim që të dy palët politike të bëjnë përpjekje për të gjetur një person apo një personalitet, i cili do të jetë i pranueshëm.

Ndoshta jo të gjithë do të jenë të kënaqur, sepse është e vështirë të arrihet një President konsensual, por të paktën të gjejnë një person, një personalitet, i cili nuk do të krijojë probleme shtesë e të hapë çështje të reja”, ka deklaruar ai për TCH. 

Kukan thotë se PE-ja kërkon që marrëveshjet e nënshkruara të zbatohen. “Marrëveshje që mbahen, të cilat qëndrojnë aty, e jo që të arrihen marrëveshjet e më pas ndonjë parti të thotë se nuk është më e kënaqur me të. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse ne dëgjojmë lajme pozitive për reformën zgjedhore, e më pas dëgjojmë se paska probleme me përbërjen e KQZ-së, se ka probleme me kutitë, oh Zot, se kur mund të hapen ato apo jo, e gjithë këto çështje prapë. Mjaft më me “moshap kutitë” e “hap kutitë”, si në rastin e zgjedhjeve të mëparshme parlamentare”, vijon.

Ndërsa eurodeputeti i majtë, Libor Rouçek, apeloi që palët politike në Shqipëri t’i përqendrojnë të gjithë energjitë për të krijuar ligj të mirë për zgjedhjet. “Por duhet gjithashtu që ky ligj i ri, kur ju të mbani zgjedhjet vitin tjetër, të kontribuojë për të përmirësuar procesin e zgjedhjes për Parlamentin e ri, që me fjalë të tjera, të mos kemi përsëritje të asaj çfarë ndodhi kur ju patët zgjedhjet lokale, apo ato parlamentare, ku pati dyshime e partitë nuk donin të njihnin rezultatin. Mbetet ende dhe pak kohë deri në raportin e progresit, ndaj shpresoj se Shqipëria do të punojë për këtë. E më pas, nuk do të varet shumë nga ne, nga Parlamenti, por nga Komisioni Evropian, nga Komisioneri për zgjerim”, theksoi ai. /Start/

                                                                                             2012-05-17 08:30
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›