Vizita, Meta takon Tadiç në Beograd

Meta e Tadiç shmangin konferencën e përbashkët për shkak të qëndrimeve të kundërta për Kosovën
TIRANË - Shqipëria dhe Serbia pavarësisht dallimeve thelbësore për çështjen e Kosovës, tentojnë të vendosin një stad të ri marrëdhëniesh diplomatike. Për këtë qëllim, kreu i diplomacisë shqiptare, njëkohësisht zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, ka nisur dje një vizitë zyrtare në Beograd, ku dhe është takuar me zyrtarët më të lartë serbë, me të cilët ka diskutuar mbi të ardhmen e marrëdhënieve mes dy vendeve, si dhe perspektivën integruese të tyre në Bashkimin Europian.
Meta u prit nga presidenti serb, Boris Tadiç, me të cilin diskutoi për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë dhe për protokollet, që do të nënshkruhen për luftën kundër krimit dhe terrorizmit.
Megjithatë, qëndrimet diametralisht të kundërta të Shqipërisë dhe Serbisë për Kosovën kanë bërë që dy drejtuesit e lartë të shmangin konferencën e përbashkët për shtyp për të mos u përballur me ndonjë pyetje të vështirë për shtetin më të ri në Europë, e cila gjithsesi mësohet se u trajtua në takim.
Ndërkohë, dje pasdite, ministri i Jashtëm shqiptar, Ilir Meta, zhvilloi një takim edhe me homologun e tij, Vuk Jeremiç. Më parë, gjatë paradites, Meta, i shoqëruar edhe nga bashkëshortja e tij, bëri homazhe pranë varrit të ish-Kryeministrit të Serbisë, z. Zoran Xhinxhiç, i vrarë 7 vite më parë nga grupe kriminale serbe. Gjatë ceremonisë së homazheve, Meta u shoqërua edhe nga bashkëshortja e të ndjerit, Ruzhica Xhinxhiç.
Duke folur për mediat, zëvendëskryeministri Ilir Meta e ka quajtur ish-kryeministrin Xhinçiç një frymëzues të politikanëve kurajozë jo vetëm në Serbi, por edhe në Ballkan. "Ishte një obligim i imi, ta nisja këtë vizitë zyrtare në Beograd, duke bërë homazhe dhe duke nderuar kujtimin e Kryeministrit të ndjerë Zoran Xhinxhiç, pikërisht këtu në banesën e tij të fundit.
Z. Xhinxhiç, pa asnjë diskutim që mbetet një frymëzim jo vetëm për demokratët dhe forcat progresiste e proeuropiane në Serbi, por në të gjithë rajonin tonë, pasi falë vizionit të tij, falë kurajës së tij të jashtëzakonshme, Serbia është në një stad të ri të integrimit europian dhe të gjithë procesit të integrimit në komunitetin ndërkombëtar. Falë këtij vizioni dhe kuraje, edhe marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë përparuar, ndoshta jo aq sa do dëshironin shumë si unë.
Por, shpreh besimin se akoma më shumë, këto marrëdhënie do të shënojnë progres dhe do të jenë solide, sepse marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Serbisë janë shumë të rëndësishme për perspektivën e rajonit tonë, për përshpejtimin e integrimit të tij europian, dhe janë shumë të rëndësishme për një pajtim të sinqertë, solid dhe afatgjatë midis shqiptarëve dhe serbëve, por edhe midis shqiptarëve dhe gjithë sllavëve në rajon, si një domosdoshmëri për të garantuar një të ardhme të përbashkët për të gjithë qytetarët e rajonit tonë, pavarësisht përkatësive etnike", - tha Meta.