Borxh 25 milionë euro për paga e pensione
Caktohet data e zhvillimit të ankandit për emetimin e eurobondit me vlerë 25 milionë euro. Banka e Shqipërisë njoftoi dje për procesin e radhës të shitjes të borxhit që kërkon të marrë qeveria, në datën 30 qershor, në ditën kur qeveria do të komunikojë zyrtarisht rritjen e pagave dhe pensioneve, vendim që hyn në fuqi një ditë më pas, më 1 korrik. Sipas Bankës së Shqipërisë, ankandi do të zhvillohet të hënën e 28 qershorit, kurse emetimi do të kryhet më 30 qershor, të mërkurën, kur qeveria zhvillon zakonisht mbledhjen.
OperacioniMësohet se fatura për rritjen e pagave dhe pensioneve ka një vlerë totale prej afro 40 milionë eurosh, gjithnjë nëse i qëndrohet planit për rritje deri me 15 për qind, sikurse ka kërkuar Kryeministri. Sakaq, në Ministri të Financave vijojnë diskutimet mbi nivelin e rritjes së pagave dhe pensioneve. Ekspertët e ministrisë po bëjnë të pamundurën për të siguruar një rritje të paktën 10 për qind, kurse Kryeministri ka planifikuar normën 15 për qind. Buxheti i shtetit nuk përmban të ardhura të mjaftueshme për të vënë në zbatim premtimin elektoral, edhe pse disa institucioneve të rëndësishme do t’u reduktohen shpenzimet për investime.
BondiI kthyer në telenovelë për Ministrinë e Financave, emetimi i eurobondit, ose marrja hua në valutë nga bankat tregtare, në masën 400 milionë euro, do të shtyhet për ca kohë, derisa të qetësohen tregjet. Deri atëherë, ministria do të operojë me bankat vendase, uria e të cilave është e pashtershme për paratë e qeverisë, pasi kanë normë fitimi të sigurt. Aktualisht, gjendja në banka sa u takon depozitave konsiderohet e qëndrueshme, madje me likuiditet të mjaftueshëm për nevojat e ekonomisë, përfshi dhe valutën, e cila do të jetë mjeti i përdorimit të letrës me vlerë.
BorxhiShifrat e fundit nga Ministria e Financave, referuar tremujorit të parë 2010, deklarojnë se stoku i borxhit arriti në 406 miliardë e 476 milionë lekë, ku 58 për qind i takojnë instrumenteve të huas afatshkurtër (borxh i marrë për periudha shlyerje deri në një vit). Bie në sy fakti se në tabelën e stokut të borxhit nuk ka asnjë të dhënë rreth letrave me vlerë të emetuara për periudha 9-mujore, e ndoshta eurobondi përbën rastin e parë. Në të gjitha proceset e shitjes së borxhit që kërkon të marrë qeveria, Banka e Shqipërisë luan rolin e saj. Sipas statistikave, gati 18.35 për qind e borxhit të qeverisë mbahet nga Banka e Shqipërisë, me një rritje rreth 1 pikë për qind, kurse pjesa tjetër zotërohet nga bankat tregtare, ku vetëm njëra mbart 33.79 për qind.
#